Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka reaguar për 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Më poshtë reagimi i plotë!
Sot, jemi këtu për të demaskuar mashtrimin e madh dhe keqpërdorimin që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit dhe gjithë atyre që kontribuan edhe me jetë për këtë marrëveshje. Ata që për dy dekada patën përgjegjësinë më të madhe për implementimin e kësaj marrëveshje, sot organizojnë festa dhe ahengje të shtrenjta për të mbuluar dështimin e tyre dydekadësh. Pas 20 viteve, Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetë temë diskutimi dhe asnjë nga shtyllat e kësaj marrëveshje nuk është rrumbullakosur. Ende nuk janë përmbushur obligimet e marrëveshjes, siç janë: përfaqësimi i drejtë, barazia sociale dhe ekonomike, barazia kushtetuese e qytetarëve të vendit, arsimi cilësor, marrëdhëniet ndëretnike, risocializimi i pjesëmarrësve në konflikt, decentralizimi real i pushtetit. Mosfunksionimi i badenterit dhe integrimi evropian. Për të qenë ironia edhe më e madhe, sot shpenzohen 500 mijë euro për të organizuar një festë, aheng parazgjedhor i partive në pushtet, derisa ata që ishin më meritorët, familjet e dëshmorëve dhe pjesëmarrësit e luftës së vitit 2001, luftojnë për mbijetesë, me plagë të pashëruara dhe shumë prej tyre kanë marrë rrugën e mërgimit. Sot, për luftën dhe Marrëveshjen e Ohrit flasin ca njerëz, si Artan Grubi që nuk ka as edhe një kontribut më të vogël për këtë proces, por vetëm përfiton në vazhdimësi duke shkelur mbi kontributin e gjithë aktorëve të tjerë që në forma të ndryshme investuan dhe sakrifikuan. I bëjmë thirrje atij dhe BDI-së që të mos manipulojnë me gjakun dhe sakrificën e ushtarëve dhe gjithë kontribuesve të tjerë. Po, përfitimet nga Marrëveshja e Ohrit janë më të mëdha se 500 mijë eurot që harxhohen për ahengun tuaj partiak, por pyesim publikisht- cilat janë përfitimet nga ky aheng? Mos manipuloni, paratë nuk po harxhohen për Marrëveshjen e Ohrit, por për festa dhe fushatë parazgjedhore duke keqpërdorur këtë dokument.