Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një panel nën patronatin e Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ku ka theksuar se suksesi i vendit është rezultat i përpjekjeve të popullit të Kosovës, mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe vendosmërisë për të mos e marrë lirinë e fituar për të mirëqenë.
“Ky sukses është edhe juaji z. President, dhe i shumë aleatëve dhe miqve tanë në mbarë botën. Historia e Kosovës tregon qartë se çfarë mund të arrijnë kombet që duan lirinë kur nuk i kthejnë shpinën një populli të shtypur, i cili thjesht kërkon të jetojë i lirë, të gëzojë të drejtat themelore dhe të shfrytëzojë të drejtën e dhënë nga Zoti”, deklaroi ajo.
Presidentja Osmani nënvizoi se përvoja e luftës ka bërë që Kosova të vlerësojë çdo ditë lirinë dhe të angazhohet në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të drejtë. Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me ushtrinë amerikane dhe partnerët ndërkombëtarë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
“Ushtarët e Kosovës shërbejnë krah për krah me ata amerikanë në misionet paqeruajtëse. Ne përpiqemi të ndihmojmë dhe të ndajmë përvojën tonë. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tani udhëtojnë në mbarë botën për të mbështetur viktimat në Ukrainë, Sudan dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme”.
Presidentja Osmani gjithashtu paralajmëroi për vështirësitë e ruajtjes së paqes në rajon dhe ndikimet destabilizuese që vijnë nga jashtë. Ajo kujtoi se Kosova vazhdon të përballet me kërcënime nga Serbia, duke shtuar se veprimet destabilizuese të Rusisë shtrihen përtej kufijve të saj dhe ndikojnë në stabilitetin e vendeve të tjera në Evropë.
“Ata vazhdimisht kërcënojnë pjesë të ndryshme të kontinentit, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Ky ‘trekëndësh i së keqes’ që përfshin Rusinë, Kinën dhe Iranin, përpiqet të përhapë ndikimin e tij, qoftë përmes forcës ushtarake, ekonomisë apo ideologjive ekstremiste, duke tentuar të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar së bashku”.
Presidenti Clinton, nga ana tjetër, rrëfeu se shumë njerëz e konsideruan atë “të çmendur” për shkak të vendimit të tij për të ndërhyrë në Kosovë. Ai kujtoi bindjen e tij se ndërhyrja ajrore do të jetë mënyra më humane dhe efektive për të sjellë fundin e luftës, ngase e dinte se kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë derisa ta fitojnë lirinë.
“Shumë njerëz mendonin se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë dhe, në fund, do t’u kushtojë serbëve për të vazhduar luftën — dhe do të shpëtojmë më shumë jetë”.
Bombardimi i Serbisë nisi më 24 mars dhe përfundoi më 12 qershor. Ajo që filloi si mision për të ndalur gjenocidin, u shndërrua në një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme humanitare të shekullit të 20-të, ndonëse ishte hera e parë që NATO – në historinë e saj të atëhershme 50 vjeçare – ndërhynte pa miratim të Kombeve të Bashkuara. (AP)