Simpatike dhe e shkolluar, shqiptarja e parë deputete e Kuvendit në Kantonin e Gjenevës
Xhevrie Osmani është konfirmuar si deputete në Kuvendin e Kantonit të Gjenevës, njoftojnë burime për albinfo.ch. Ajo ishte e nominuar nga Partia Socialiste e kantonit të Gjenevës, dhe ka marrë votat e mjaftueshme që të jetë deputete e Kuvendit, ku është bërë ripërtëritja e 100 ulëseve, shkruan albinfo.ch. Xhevria është deputetja e parë shqiptare e zgjedhur në ketë nivel legjislativ, një sukses jashtëzakonisht i madh për të.
Zonja Osmani me rrënjë nga Gjilani i Kosovës, migroi së bashku me prindërit e saj në Gjenevë të Zvicrës, qysh si fëmijë. Ajo në këtë qytet të njohur të diplomacisë ndërkombëtare përfundoi me sukses të gjitha nivelet e shkollimit.
Përkushtimi i saj në punë u kurorëzua me diplomim në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Osmani, edhe pse e re në moshë është me përvojë në politikë. Në qershor të verës së sivjetme mbush vitin e tretë të punës së saj të suksesshme si këshilltare në komunën Meyrin të Gjenevës.
Me kusht që t’i avancojë edhe më tutje dijet ajo, bënë edhe studime shtesë në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Kriminale dhe Administrative, pranë Universitetit Publik të Lozanës, gjegjësisht atij të Bernës, ku së shpejti do të fitojë edhe gradën shkencore Master në këtë fushë.