Partia Levica shpalli kandidatët për kryetarë komunash në Strugë, Tetovë dhe Gostivar.
Me nder dhe përgjegjësi të veçantë njoftojmë se në komunat Tetovë, Gostivar dhe Strugë, Levica është e vetmja parti parlamentare nga blloku politik maqedonas që del me kandidatët e saj për kryetarë komunash.
Në Komunën e Strugës, kandidate për kryetare është deputetja aktuale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Jovana Mojsoska – diplomuar në Fakultetin e Sigurisë dhe sekretare e përgjithshme e Levicës. Përvoja e saj, aktiviteti politik dhe përkushtimi personal janë garanci se ajo do ta mbrojë interesin publik dhe do të ofrojë zgjidhje të vërteta për problemet me të cilat përballet Struga.
Në Komunën e Tetovës, kandidate është Dr. Katka Bozhinovska, doktore e shkencave juridike nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e punësuar aktualisht në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Me njohuritë e saj akademike, karrierën profesionale shumëvjeçare dhe integritetin e saj, ajo do të angazhohet për rikthimin e ligjshmërisë, drejtësisë dhe sundimit të vërtetë të ligjit në Tetovë.
Në Komunën e Gostivarit, kandidat për kryetar është Darko Grujoski, specialist i IT-së dhe operator informatik me studime të përfunduara në shkencat dhe teknologjitë kompjuterike. Ai përfaqëson gjeneratën e re të profesionistëve, të gatshëm me qasje moderne dhe zgjidhje teknologjike të përmirësojnë shërbimet publike dhe transparencën e vetëqeverisjes lokale.
Nën presion të fortë nga marrëveshjet e koalicionit me partinë VLEN, VMRO-DPMNE mori vendim të mos ketë kandidatët e saj në këto komuna. Ne e konsiderojmë këtë si një poshtërim të paparë dhe mohimin e identitetit të popullit maqedonas në pjesën perëndimore të shtetit. Kjo e bën të qartë edhe një herë se për partitë e mëdha, interesi i qytetarëve është i nënshtruar ndaj pazareve partiake dhe etnike që çojnë drejt federalizimit.
Levica është ajo që i kundërvihet këtyre politikave!
Kandidatët tanë janë njerëz me kredibilitet, dije dhe kompetenca profesionale – persona që do të udhëheqin me komunat mbi bazë të ideologjisë dhe programit, e jo në bazë të etno-tribalizmit, klientelizmit dhe korrupsionit. Prandaj, në këto zgjedhje bëjmë thirrje për mobilizim të të gjithë qytetarëve që duan ndryshime dhe që duan që në komunat e tyre të sundojnë vlera të vërteta, informojnë nga partia. (Struga Ekspres)