Kim Mehmeti: Politikanëve shqiptarë u intereson Shqipëria e ndarë
“Referendumi do të thellojë ndasitë shqiptaro-maqedonase”
Analisti Kim Mehmeti, në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi se politikanëve “u leverdis që të kemi 5 Shqipëri”.
“Ne kemi politikanë që vishen me Versace, por mendësinë e kanë të Konferencës së Londrës në 1913. Është e paimagjinueshme që mos të ketë një mendësi mbarëshqiptare se si do të zgjidhet problemi shqiptar në Maqedoni; na konsiderojnë aq budallenj sa të besojmë se Serbia do ia japë Luginën e Preshevës si dhuratë Kosovës; nuk e beson askush se kryeministri i Shqipërisë do e hapë temën e Çamërisë te kryeministri grek…
Ne nuk kemi të kaluar të përbashkët sepse jetuam në shtëpi të ndara, por as të sotme të përbashkët nuk krijuam. Politikanëve u leverdis që të kemi 5 Shqipëri”, tha Mehmeti.
Në lidhje me çështjen e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, Mehmeti u shpreh: “Shkëmbimi i territoreve është ide serbe. Hashim Thaçi kërkon të shpëtojë veten. Kudo në mediat kosovare përmendet për Gjykatën Speciale. Ka disa gjëra që do të zbulohen pasi disa njerëz të dalin të përgjigjjen për atë që ka ndodhur”.
Sipas Mehmetit, do të thellohen ndasitë shqiptaro-maqedonase pas këtij referendumi: “Çdo analizë për Maqedoninë duhet nisur nga fakti se Maqedonia nuk është dëshirë as e shqiptarëve dhe as e maqedonasve, por projekt ndërkombëtar dhe ky referendum do të vendosë lidhur me qëndrueshmërinë e këtij projekti. Nëse dështon ky projekt, dështon investimi i faktorit ndërkombëtar në një Maqedoni multietnike. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë pro, pasi nuk kanë plan B. Maqedonasit e kanë gjithmonë planin B, që është plani pro-rus. Shqiptarët kanë vetëm planin pro-evropian. Mendoj se do të thellohen ndasitë shqiptaro-maqedonase”.