Kasami: Po ndërtojmë shkolla pas 20 vitesh, miliona euro investime në arsim në Tetovë

0
10

Kasami: Po ndërtojmë shkolla pas 20 vitesh, miliona euro investime në arsim në Tetovë

Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-54-06-f3965d67

Kryetar i aktual i Komunës së Tetovës dhe kandidati për një mandat të dytë, Bilall Kasami, ka prezantuar investimet më të fundit dhe planet e ardhshme në fushën e arsimit në këtë qytet. Në një adresim publik, ai theksoi se për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh, në Tetovë po ndërtohen objekte të reja shkollore.

“Po ndërtojmë objektin e Shkollës së Mesme Tekstile dhe të Gjimnazit ‘7 Marsi’ – me hapësira moderne, laboratorë, kabinete dhe ambiente ndihmëse, që garantojnë standarde të larta infrastrukturore. Investimi kap vlerën prej rreth 5 milionë euro dhe realizohet pjesërisht me mbështetje të Qeverisë,” deklaroi Kasami.

Ai theksoi se arsimi ka qenë një nga prioritetet e tij gjatë mandatit aktual dhe se do të mbetet në qendër të vëmendjes edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.

19 projekte të reja në plan për arsimin
Sipas kryetarit, janë planifikuar gjithsej 19 projekte që lidhen me infrastrukturën arsimore:
– 12 projekte në arsimin fillor, përfshirë ndërtimin e shkollave “Liria”, “Bratstvo-Migjeni”, “Istikball”, “Përparimi”, “Rexhep Voka” në Shipkovicë, “Rilindja” në Sellcë, “Skënderbeu” në Xhepçisht dhe një shkollë në Kikish.
– 5 projekte për arsimin e mesëm, ku përveç dy shkollave që janë në ndërtim, përfshihen edhe ndërtimi i një objekti ndihmës për SH.M.K. “8 Shtatori” dhe rikonstruktimi i plotë i fasadës së shkollës “Nikolla Shtejn”.
– 2 projekte për arsimin parashkollor, që përfshijnë ndërtimin e një objekti të ri për çerdhen “Rinia” në BU 57 dhe rikonstruktimin e plotë të tri objekteve ekzistuese në Teteks, Qendrën Sportive dhe Potok.
Kasami tha se këto projekte janë pjesë e Strategjisë për Zhvillimin e Arsimit, me synimin që brenda pesë viteve të ardhshme të mundësohet mësimi gjithëditor, nëpër shkollat e Tetovës.
“Tetova meriton arsim cilësor dhe infrastrukturë dinjitoze për fëmijët tanë. Nuk guxojmë të kthehemi në të kaluarën e errët të papërgjegjësisë. Kapitulli i Dytë i zhvillimit do të jetë edhe më i fuqishëm,” u shpreh Kasami, duke konfirmuar synimin për një mandat të dytë si kryetar i Komunës.


Whats-App-Image-2025-10-03-at-22-47-36-76a070c5