Kasami: Me mandatin e radhës Tetovën do ta shndërrojmë në kryqendren e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut
Një nga drejtuesit e VLEN-it, dhe kryetari aktual i Tetovës, Bilall Kasami, në hapjen e tubimit zgjedhor në Tetovë tha se në Tetovë gjatë mandatit të tij bënë qindra punë konkrete në shërbim të qytetarëve duke përgjysmuar borxhin publik për 50%, prandaj Kasami kërkon mbështetje edhe për një mandat që të bëhet Tetova kryqendër e shqiptarëve.
“Gjetëm komunën në gjendje që u habitëm, në gjendje të mjerueshme, kontrata fiktive të shumta, punëtorë që nuk vinin në punë, rrugë të shkatërruara, qytet i bllokuar, mbeturina në çdo cep të qytetit. Që nga dita e parë ne u vumë në shërbim të rregullimit të komunës. Parimi i parë ishte që nuk do të ankohemi për udhëheqësinë paraprake por do ta ndryshojmë gjendjen Parimi i dytë komuna është institucion që është në kontakt të parë me qytetarin do ta hapim komunën që të bëhet e qytetarëve, hapëm seancat për të ofruar transparencë të plotë. Qytetarët patën mundësi ta ndjekin çdo mbledhje të këshillit. Organizuam takime mujore sy më sy me çdo qytetarë ku diskutonim për nevojat dhe kërkesat e tyre. Parimi i tretë zgjidhjet do të jenë thelbësore dhe jo sipërfaqësore, nuk ka më punë shkel e shko. Ndriçim publik, parqe e gjelbrim, shkolla e spitale cilësore. Borxhin e kemi përmendur shpesh sepse ajo është e vërteta e tyre, me 24 milionë euro borxh që trashëguam nuk ishin investuar sepse ishin vjedhur. Por, ne nuk u ankuam por punuam. Ne edhe e përgjysmuam borxhin edhe e bëmë me ujë të pijshëm Tetovën. Ne ndërtuam edhe stadiumin, ne bëmë bulevard, ne asfaltuam mbi 100 rrugë, pastruam dhe rrethuam lumin Shkumbim, miratuam shumë plane detale urbanistike, ne po ndërtojmë tre shkolla dhe rregulluam me dhjetra tjera, ne ndërtuam një pishinë e po ndërtojmë edhe dy tjera, ne vendosëm ndriçim cep më cep Tetovës, gjitha këto duke shtuar edhe përgjysmimin e borxhit publik”, tha Bilall Kasami.
Kasami shtoi se me ekipin e tij do të bëjnë punë në mandatin e radhës saqë Tetova me plot kuptim do ta meritojë epitetin kryqendra e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Nëse keni pak dyshim nëse duhet të jeni me VLEN vetëm kujtone si ishte komuna para katër viteve, nuk guxojmë të kthehet prapa. Katër vite ishin të mjaftueshme për ta ndalë keqbërjen në Tetovë, na duhen edhe katër vite për ta bërë zhvillimin e hovshëm. Me ekipin që po e ndërtojmë bashkë me tetovarët tanë, Tetova pas katër viteve do të jetë një qytet i zhvilluar dhe me plotë të drejtë do të marr epitetin kryqendra e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, përfundoi Kasami.