Kasami: BDI-së i ndodhi “referendumi” në zgjedhje, ja çka e çoi Tetovën në balotazh!
Kandidati për komunën e Tetovës nga VLEN, Bilall Kasami në emisionin te Çim Peka ka thënë se balotazhi në Tetovë dhe mosarritja e censusit në Gostivar janë rezultat i dështimit të modelit të qeverisjes paraprake si në nivel qendror ashtu dhe lokal. Rasti i Gostivarit, sipas tij, madje është rasti më tipik i keqqeverisjes së kaluar që dëshpëron votuesin dhe nuk dalin të votojnë.
“Në Gostivar nuk arritën të nxjerrin as 1/3-ën e votuesve, apo as 33 për qind, në Vrapçisht as 20 për qind të votuesve dhe është një kambanë alarmi se duhet të ndryshojë modeli i qeverisjes”, tha Kasami, i cili në balotazh hyn me një epërsi bindëse kundrejt kundërkandidatit nga AKI, Bajram Rexhepi.
Ai akuzoi AKI-në dhe BDI-në se në pamundësi të merren me tema të nivelit lokal, thirrën në referendum, por që nuk u doli llogaria.
“Në zgjedhje lokale kur duhej të flasim për tema lokale, BDI doli me një koncept etnik apo nacionalist, ku thirrej në referendum për shqiptarët dhe kjo i ndodhi. Ali Ahmeti në komunën kryesore të Shkupit nxori Bujar Osmanin, por atë nuk e njeh Çairi, ai mund të jetë një ministër i mirë, por jo një kandidat për Çairin, sepse Çairi ka probleme thelbësore, të përditshme që ai nuk i di. Pra nuk është një realitet që përkon me atë që kërkonin votuesit”, tha Kasami.
Sa i përket Tetovës ai tha se kishte një lojë nga maqedonasit, që dikush e priste e dikush jo.
“Derisa BDI trumbetonte gjithandej se unë në Tetovë do të zgjidhem me votat e VMRO-së, doli e kundërta, ato u shpërndanë edhe te kandidati i BDI-së, opozitës dhe mua dhe kjo na çoi në balotazh”, tha mes tjerash Kasami.