Sipas një ankete të zhvilluar nga Televizioni Telma, kryeministri Zoran Zaev është kandidati më i preferuar dhe më i votuar në rast se nesër do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale. Ndërsa tek shqiptarët, kandidati më i votuar është kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ky i fundit është radhitur menjëherë pas dy kandidatëve më të preferuar për president nga radhët e LSDM dhe liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Zaevi ka marrë përkrahje prej 12,7 %, Mickoski 7,8 %, Nikola Dimitrov 6,9%, Stevo Pendarovski 5.8%, ndërsa Ziadin Sela radhitet me 5,4%. Pas tij radhitet edhe kandidati i mundshëm për president nga radhët e VMRO-DPMNE, Vllatko Gjorcev me 4.2%, e me përkrahje të njejtë është edhe Imer Selmani.
Kandidatët e tjerë të përfolur dhe që janë pjesë e listave partiake kanë përkrahje tejet më të vogël, duke përfshirë edhe ministrin e brendshëm Oliver Spasovski që është radhitur me vetëm 0.9%, Radmilla Sheqerinska me 2.7%. Më poshtë është edhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi me 2.4%.
Anketa është zhvilluar nga 15 deri 30 janar, ku janë anketuar rreth 1 mijë anketues. Mbi 38% janë deklaruar të papërcaktuar, por që votat e tyre janë vendimtare.