VMRO-DPMNE dhe LSDM besojnë se në raundin e dytë zgjedhor do të rritet numri i votuesve. Në debatin e mbrëmshëm në Click Plus, Dimçe Arsovski dhe Darko Kaevski debatuan se kush nga kandidatët do të marrë më shumë vota nga qytetarët që nuk i përkasin etnikumit maqedonas.
“Ne si VMRO-DPMNE, respektivisht profesoresha Siljanovska, si kandidate e VMRO-DPMNE-së, e kërkon përkrahjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, nga të gjitha bashkësitë etnike, jo vetëm nga maqedonasit. Absolutisht shpresoj se përkrahja do të rritet edhe tek maqedonasit, edhe tek shqiptarët, si bashkësia e dytë me numër më të madh votash, por edhe te të gjithë të tjerët. Nga ajo që kishim mundësi ta shohim është se mbështetja, edhe në mesin e maqedonasve, edhe në mesin e shqiptarëve, edhe në mesin e komuniteteve të tjera, bie kur bëhet fjalë për kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovski”, tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
“Një nga përpjekjet tona kryesore është t’i rrisim votat që duhet t’i marrim në rrethin e dytë. Sipas bisedimeve me shumë nga votueset tanë dhe ata të papërcaktuarit, shohim se rrethi i dytë do të kalojë në një atmosferë më të mirë, me përkrahje më të madhe për z. Pendarovskin, sepse sipas qytetarëve, Maqedonia meriton të ecë përpara”, deklaroi Darko Kaevski nga LSDM.
Në pjesën e dytë të fushatës zgjedhore vërehet një zbutje e retorikës nga Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova. Që të dy kandidatët shpresojnë në vota shqiptare. Të pyetur se nëse censusi varet pikërisht nga jehona e votuesve shqiptarë, përfaqësuesit e dy partive në debat, nuk patën një përgjigje të prerë për këtë çështje./TV21