Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Valmir Aziri priti në takim drejtorin e sapoemëruar të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Jeton Pustina.
Sekretari Aziri, siç thuhet në kumtesën për media, e uroi Pustinën duke i dëshiruar fillim të mbarë në punën e re, në këtë Institucion që shënon hap të rëndësishëm për kulturën tonë shqiptare duke kultivuar dhe ruajtur vlerat dhe traditat e mirëfillta të kombit shqiptar.
Drejtori i Ansamblit shqiptar, Pustina, e njoftoi sekretarin Aziri për hapat të cilat do t’i ndërmarrë për të futur në binarë të duhur punën e Ansamblit.
Bashkërisht, konstatuan që është humbur shumë kohë dhe se nevojitet një punë vetëmohuese për të arritur që menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të hapet konkursi i pranimit të kuadrit cilësor për funskionimin e këtij Institucioni, mes tjerash, u dakordua një agjendë e përbashkët për takime me Ansamblet e këngëve dhe valleve shqipe të cilat funksionojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’i siguruar për transparencën e punës së Ansamblit dhe për t’i njoftuar për arsyet e ngecjeve në punën e Ansamblit shtetëror si dhe për hapat që do të ndërmerren mbi normalizimin e punës së këtij Institucioni.
Sekretari Aziri, siguroi drejtorin Pustina, për përkrahje të plotë Institucionale dhe i uroi shëndet e mbarësi në punën e re.