Tuesday, November 26, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeQytetiJEHONA E DEMOSTRATAVE TË VITIT 1981 NË STRUGË

JEHONA E DEMOSTRATAVE TË VITIT 1981 NË STRUGË

Dr. Nebi Dervishi

“JEHONA E DEMOSTRATAVE TË VITIT 1981 NË STRUGË”

Vitet 1981-1991, në Strugë e rrethinë dhe më gjërë në trevat lindore shqiptare do të mbahen mend shumë gjatë, si njëra nga periudhat e vërsuljese më të egra antishqiptare, periudha e një fushate për të aplikuar metodat më diskriminuese dhe të përgatitura paraprakisht me skenarë të përbashkët serb – malazez – sllavomaqedonas, për të suprimuar gati të gjitha ligjet pozitive që mbronin sadopak (pakashumë) të drejtat e shqiptarëve në trojet e ish Jugosllavisë së Tito-s. Kjo fushatë do të vazhdoj për një dekadë të tërë edhe në IRJM-së/ R e Maqedonisë, duke shfryer e manifestuar ndjenjat më të vrazhda nacinal – shoveniste e fashiste, që përfundonin me shkeljen e përdhosjen e çdo gjëje që ishte shqiptare. Dhjetë vjet me radhë shqiptari ishte fajtor kujdesar, kudo që gjëndej dhe njeriu që duhej të dënohej edhe për fjalën e pathënë, edhe për veprën e pabërë (Alush Kamberi, Përndjejet e mëdha, “Flaka”, Shkup, f.5).
Tërë kjo fushatë, së pari do të orientohet drejt “zbutjes dhe “disiplinimit” të shqipëtarëve të ish K.S.A. të Kosovës, sepse, pas “gjunjëzimit” të tyre, këto forca nacional – shoveniste e fashiste antishqiptare, do ta kishin shumë më lehtë me “enklavat” e tjera shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi dhe pjesën jugore të Serbisë. (Po aty, f. 5)
Duke parë se në Kosovë është shumë vështirë të “çahet akulli”, testimet e para të një fushate të egër antishqiptare, do të bëheshin pikërisht në Maqedoni, e thënë më drejtë do të nisin në Strugë, dhe kjo bëhej jo rastësisht, sepse, këtu, që nga nisma e një fushate të këtillë, politikanët e klanit vllaho-sllavomaqedonas me ndonjë shqipëfolës dhe publicistët sllavomaqedonas, u solidarizuan pa u hamendur që në marsin e vitit 1981 me forcat ekstreme serbe për t’iu kundërvënë armikut të tyre të përbashkët”, pra të shqiptarëve!
Pas një intervali kohor tridhjet vjeçar, është interesant njeriu të merret në mënyrë kronologjike të përshkruajë rrjedhën e ngjarjeve që nga vitit 1981 e në vazhdim, dhe sakaq do të bindet se sa në mënyrë të përpiktë janë harmonizuar skenarët e përbashkëta të veprimit. Dhe jo rastësisht së pari në qytetin e Strugës dhe pak më vonë edhe në qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni, menjëherë pas demostratave të Marsit-Prillit 1981 në Kosovë, do të shërbejë si poligon i sprovave të para “për të zbuluar iredentistët, nacionalistë, fashistë, enveristë, ballistë” etj. (po aty)
Redaksitë e mediumeve të shkruara dhe elektronike në Maqedoni, si “Veçer”, “Nova Makedonija”, “Radio e TV e Shkupit”, por edhe “Flaka e Vëllazërimit” do të veprojnë me “detyra partiake, për të krijuar një fushatë dhe atmosferë të paparë antishqiptare.
Këtij grupi ekstrem antishqiptar, që vite të tëra volli helmin dhe vrerin e një urrejtjeje të paparë kundër shqiptarëve të urtë, të pafajshëm e të papërkulur, do t’u bashkangjitet edhe një surogat torbesho-sllavomaqedonas, Nijazi Limanoski, i cili, jo vetëm që do t’u prijë atyre më vonë, por njëherit do ta konsultojnë si “njohësin” më të mirë për kurdisjen e rrenave dhe marrëzirave paranoike për denoncimin e shqiptarëve, sidomos të pjesës intelektuale, duke i ushqyer ata vazhdimisht me “çorbën” e vet. (A. Kamberi, faqe 7).
Nijazi Limanoski, i cili gjatë tërë jetës së vet, jetoi dhe vdiq me dilemë se ç‘mund të kishte qenë: shqiptar, turk apo maqedon, fillimisht nëpër gazeta nënshkruhej si Nijazi Limani, pastaj Nijazi Liman dhe në fund si Nijazi Limanoski (si turk u zgjodh delegate i Kuvendit të Maqedonisë (1969-1974), kurse si kundërkandidat kishte turkun Binas Janin, me kombësi turke), dhjet vjet të tëra do të jetë një lloj “roje besnike” e çdo lëvizjeje shqiptare, duke akuzuar, etiketuar, denoncuar, duke shpifur e trilluar, në mënyrë që më vonë të përsoset në një rrenacak apo gënjeshtar i specializuar e i pashoq, do të gjejë dhe leverdinë e vet.
Duke parë se ky mund të jetë një person shumë i nevojshëm për momentin aktual, sepse si i tillë “maqedon”, e as “shqiptar”, mori mbi vete t’i prijë një lufte të hapur me shqiptarët, pra do t’u shërbejë maqedonasve si mashë për të mos djegur duart, apo “xhoker” kryesor që u fut në “lojë” e që shumë shpejt do ta konvertojnë në poste të larta të caktuara, ku mund t’i mbante nën kontroll” shqiptarët, sidomos në Ministrinë për Arsim të Maqedonisë. Por, që të jetë më bindës fjala dhe mendimi i këtij ideologu “maqedon, shumë shpejt atij do t’I jepet edhe titulli “doktor shkence i etnografisë, edhe pse, sa kemi ne informata, ai ishte gjeografo !. kësisoj, me këtë titull, shkrimet e tija kundër shqipëtarëve, do të kishin më tepër “peshë” edhe në suaza jugosllave, sepse nëse kishte nevojë, e këtë e dëshironin forcat antishqipatre, do të caktohej një “doktor shkence”!? (A. Kamberi, vepra e cituar, f.7.).
Për të vepruar në një mënyrë edhe më të organizuar, ai duke tentuar (me siguri sipas diktateve secrete) t’i mbrojë torbeshët e vet nga “shqiptarizimi” i tyre, ai fajtorët kryesor do t’i gjejë vazhdimisht te shqiptarët, sepse ata, duke i “shqiptarizuar (asimiluar) torbeshët, që sipas tij, i madh e i vogël duhet të jenë maqedonas, edhe përkundrejt natalitetit të madh të shqiptarëve, me përvetësimin dhe të torbeshëve, dëshirojnë të dominojnë mbi maqedonasit. Në pranverën-verën e vitit 1981, pas ngjarjeve në Kosovë, Limanoski ishte shumë aktiv në rajonin e Strugës, e në veçanti në Anën e Drinit (Drinkolin). Ai do të themelojë edhe Bashkësinë e Maqedonasve muslimanë në Maqedoni. Me formimin e kësaj shoqate, ai do të tentojë të bëjë dy akcione: në njërën anë, në mënyrë institucionale t’i bindë “vëllezërit” e tij torbesh se janë “maqedonë” dhe në anën tjetër, kjo shoqatë t’i shërbejë si preteks për të zhvilluar luftë “kundër nacionalizimit dhe iredentizmit shqiptarë”! Në këtë shoqatë, ai njerëzit që do të shprehin gadishmërinë të veprojnë sipas tekave të Limanovskit, t’i bindin torbeshët gjithandej se nuk janë as muslimanë, as shqiptarë, e as turq, por vetëm “maqedon” dhe njëherit të bëjnë luftë të pakompromis kundër çdo gjëje që është shqiptare. Dhe, të gjithë së bashku do vehen në ballë të çdo fushate antishqiptare që gatuhej në kuzhinë serbo-sllavomaqenoase.
Demostratat e 11 e 26 marsit dhe 1 e 2 prill të vitit 1981 në Kosovë, në të cilat, krahas studentëve e nxënësve shqiptarë të Kosovës, morën pjesë edhe studentët e nxënësit edhe nga Maqedonia që studjonin në Universitetin e Prishtinës, e në këtë kuadër edhe rreth 300 nga Struga, për të thënë botërisht se janë të shtypur e të diskriminuar në krahasim me popujt e tjerë joshqiptar vërsulje e pa mëshirshme shqiptarëve kudo që gjendej në hapsirën e ish – Jugosllavisë. Madje, duke parë se në republikat tjera të këtij shteti të brishtë, me përjashtim të Maqedonisë dhe pjesërisht në Malin e Zi, kjo fushatë hasi në rezistencë të vazhdueshme (sidomos në Slloveni e Kroaci, e në njëfarë mase edhe në Bosnjë e Hercegovinë), qarqet nacional-shoveniste serbe do të kërkojnë me ngulm që kjo punë të fillojë edhe të institucionalizohet. Megjithatë ishte shumë e nevojshme, madje edhe ato kryesore për këto forca ekstreme, që demostratat e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në Kosovë të kualifikohen si ngjarje armiqësore, respektivisht kundërrevolucionare. Së prai kërkohej ( edhe pse forcat serbe me kohë i kishin kualifikuar si të tilla) që këtë gjë ta bënin vetë shqiptarët, përkatësisht këtë duhej ta bënin organizatat shoqërore-politike të Kosovës. Por kjo punë shkonte shumë vështirë, sepse udhëheqësia shqiptare, jo vetëm që nuk mund të merrnin guximin të jepnin një kualifikim të tillë, jo vetëm se kjo do t’u shërbente forcave antishqiptare t’u vërsulen shqiptarëve, duke i ndjekur e ndjellë keq ndaj tyre edhe të tjerë, por ata konsideronin se demostratat janë motivuar nga pakënaqësitë tjera që u bëhen shqiptarëve në suazat e Jugosllavisë.
Në këtë relacion do të zhvillohet një luftë e pakompromis, sidomos ndërmjet udhëheqjes poltike serbe dhe asaj kosovare. Kuadrove kosovare u bëhej një presion i paparë, duke kërkuar prej tyre që me çdo kusht të pranonin tezat serbe për ngjarjet e marsit dhe të prillit. Më në fund, pas disa ndryshimeve në radhët e udhëheqëve KK të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës do të pranohet edhe ky kualifikim, edhe pse kualifikimi real duhej të ishte krejtësisht ndryshe.
Dy fjalë e parollës “Kosova Republik” – do të shërbejnë si pretekst, që ndaj shqiptarëve të ndiqet politika e dhunës, represionit dhe terrorit, me çrast ranë shumë viktima, u plagosën qindra vetë, ndërsa mijëra të tjerë u arrestuan, dhe jo rastësisht, procesi famëkeq i diferencimeve ideopolitike do të orientohet në këtë mjedis të popullatës shqiptare.
Me këtë rast do të kërkohet nga organizatat e Lidhjes së komunistëve në radhë të parë, por krahas saj edhe në ato të Lidhjes Socialiste të Popullit Punuese, organizatave sindikale, etj., që në të gjitha mjediset e Kosovës dhe të Serbisë, të dënohen “veprimet kundërrevolucionare të shqiptarëve” dhe njëherit të merren masa përkatëve për “eleminimin e grupeve dhe individëve që veprojnë nga pozitat e nacionalizmit dhe iredentizmit shqiptarë”!
Nxjerrja krye e forcave më ekstreme serbo – malazeze – sllavomaqedone, të cilat ashtu si gjithmonë, kur janë në pyetje shqiptarët, solidarizohen gjithandej, që në fillim e bënë të qartë se Kosova do të jetë vetëm nismë, ndërsa qëllimi ishte krejtësisht tjetër.
Kështu, pasi qarqet ekstreme serbe arritën të bënin presionin te shqiptarët që të japin “pëlqimin” e tyre se bëhej fjalë për “kundërrevolucion”, K.Q. të LKJ-së, do të lëshojë kumtesën e parë për veprim, në të cilën në mes tjerash thuhet: “Komiteti Qndror i LKJ-së duhet sa më parë të debatoj mbi çështjen e realizimit të bashkëjetesës në RSFJ, sepse ne, qysh në vitin 1943 u përcaktuam për bashkëjetesë, të vetëdishëm se asnjë komb dhe kombësi nuk mundet pa njëri-tjetrin… Është koha e fundit që LKJ, si forcë avangarde e shoqërisë, të thotë hapur dhe qartë se theksimi i interesave parciale dhe mospasja ndjenjë për bashkëjetesë, veçanërsisht në këtë moment, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me politikën dhe zhvillimin shoqëror-vetëqeverisës socilaliste…” (A. Kamberi, Përndjekjet….f. 21).
Është interesant se hapat e para të këtij akcioni zhvillohen më një mature dhe metoda veprimi. Çdo kumtesë dhe dokument publik që lëshohej për opinionin e gjërë, theksi vehej në gjoja “Bashkëjetesë” dhe “vëllazërim-bashkim”. Kështu, do të përhapej bindja se bëhej gjoja për veprime parimore që të ruhet “bashkëjetesa” në Jugosllavi, por kjo do të jetë një kamuflazhë, e cila nuk do të qëndrojë gjatë në fytyrat e atyre që me çdo kusht do t’i “gjunjëzojnë” shqiptarët, në mënyrë që më vonë t’u kundërvihen të tjerëve.
Se me të vërtetë qarqet ekstreme serbe kanë përvojë me taktizime perfide në veprimet e tyre nacionaliste e shovensite, këto do ta thotë edhe Stipe Shuvari, potikologë e sociologë i njohur kroat, por që edhe ai vetë u gjunjëzua përball këtyre forcave si ish udhëheqës jugosllav, sidomos me rastin e Kosovës. Shuvari në librin e vet “Të gjitha nacionalizmat tanë”, do të shtojë: “… Nacionalizmi serb i ngjan rrëqebullit, i gatshëm që të kërcejë në Kosovë” (S. Shuvar, vepër e cituar, f. 293).
Fushata antishqiptare do t’i fitojë konturat e vërteta, ndërsa skenari i përgatitur me aq mjeshtri nga shërbimet sekrete serbe, do të nisë të realizohet, tanimë me një intezitet të shtruar në të gjitha mjediset ku jetonin shqiptarët në trevat lindore.
Aktiviteti i kësaj fushata antishqiptare do të zhvillohet fillimisht në tri fronte: në zbulimin e gjoja nacionalistëve dhe iredentistëve shqiptarë gjithandej ku jetonin; në akuzimin dhe dënimin e politikës së përkrahjes së shqiptarëve të Kosovës nga ana e R. S. të Shqipërisë dhe në lansimin e tezave se populli serb, përkatësisht Serbia, është populli më i dëmtuar në ish Jugosllavi…” (A. Kamberi, Vep, e cituar, f. 25).
Duke u nisur nga këto kërkesa ultimative, ska dilemë se nacionalistët sllavomaqedonas, e në këtë kuadër edhe klani drejtues vlleho-sllavomaqedonas, të ndihmuar pa përtim edhe nga disa vazale shqipëfolës në Strugë, si: Mustafa Abedinovki, Veli Shaipi, Qenan Bajrami, I. Dauti, etj., ndër të parët do të veprojnë në mënyrë konkrete, duke dashur që t’i “korigjojnë” gabimet e veta, që kishin bërë ndaj “nacionalistëve” shqiptarë.
Në gazetën “Rilindja” të dt. 27.VI. 1981, botohet artikulli kushtuar diferencimit ideo-politik në Komunën e Strugës, me titull “Shpartallimi i nacionalizmit-detyra më e rëndësishme” (informata ishte sipas Tanjugut, sepse e njëjta është e botuar në “Nova Makedonija e dt. 27. VI. 1981), ku në mes tjerash do të shkëpusim: “Ngjarjet armiqësore dhe kundërrevolucionare në Kosovë i tronditi komunistët, punonjësit dhe qytetarët e Komunës së Strugës, por nxitën edhe reagime nacionaliste në Komunë – kështu u vlerësua sot në mbledhjen e Konferencës Komunale të LK. Në punën e mbledhjes u aprovua raporti për punën e deritashme dhe u përcaktuan detyrat e më se tre mijë komunistëve në Komunë për periudhën e ardhëshme… Sulme individuale nacionaliste në Komunën e Strugës ka pasur edhe më parë, e njera prej tyre është “pikniku” i grupit të përbërë prej 36 nxënësish që kaluan kufirin me Shqipërinë. Tash është e qartë se bartësit e pçolitikës shqiptaromadhe, e edhe të tilla ka pasur më parë, aktivitetin e vet në masën e madhe e kanë orientuar nga gjenerata e re dhe në këtë drejtim kanë arritur sukses në masë të madhe. Për këtë flasin në mënyrën më bindëse dukurit në Qendrën e Shkollës së Mesme “Niko Nestor” dhe në Shkollën fillore “Braqa Milladinovci”. Pas ngjarjeve në Kosovës nga Qendra e Shkollës së Mesme “Niko Nestor” për shkak të dëmtimit të fotografive të revolucionarëve maqedonas u përjashtuan 8 nxënës, edhe 2 të tjerë për shkak të sulmeve nacionaliste. Në shenjë të solidaritetit me të përjashtuarit pati bojkotimet të mësimit, e një klasë nuk doli ta presë Stafetën e Rinisë. Pati edhe shkruarje të parullave dhe sulme të tjera nacionaliste të nxënësve jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në ato fillore. Nga kjo Komunë në fakultetet dhe në shkollat e mesme në Krahinën e Kosovës shkollohen 340 nxënës dhe student dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë në demostratat.
Bartësit e dukurive dhe të ideve armiqësore arritën të mashtrojnë një pjesë të gjeneratës së re, e në këtë drejtim i ndihmuan edhe disa arsimtarë dhe profesorë. Nga Qendra e Shkollave të Mesme u suspenduan 5 profesor (Aliriza Lloga, Nebi Dervishi, Arif Vinca, Axhem Kica, Izeir Mustafai) dhe ndaj dy të tjerëve u hap procedura (Musa Musai e Mendi Lloga)…
Aktiviteti armiqësor dhe kundërrevolucionar në Kosovë i nxiti edhe në Strugë dukurit nacionaliste dhe irredentiste. Në organizatat punojëse nga radhët e LK u përjashtuan 5 komunistë, e në Fabrikën “Boris Kidriç, në Entin për Urbanizëm dhe në Kopshtin e fëmijëve u formuan pleqësitë shoqërore – që të hulumtojnë përgjegjësinë ideopolitike të disa anëtarëve të LK-së. u dënuan shkakëtarët e rrahjes pas ndeshjes ndërmjet ekipit “Bashkimi të fshatit Livadhi dhe atij “Makedonija” nga fshati Vranishtë.
Menjëherë pas aktivitetit armiqësor në Komunën e Strugës, në të gjitha organizatat themelore të LK dhe në të gjitha organizatat shoqërore-politike pasuan aktiviteti intensive. Në këto mbledhje ishte e dukshme pjesëmarrja e shtuar e shtuar e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare, të cilët së bashku me të tjerët jo vetëm që i dënuan këto dukuri, por edhe kërkuan që fajtorët dhe bartësit e nacionalizimit e të irredentizmit të dënohen në mënyrë më të rrept. Tash çështja më e rëndësishme dhe njëra nga detyrat themelore, siç u theksua në mbledhjen e Konferencës Komunale të LK, është shpartallimi i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe demaskimi i armikut. Kjo luftë duhet të jetë e hapur, sepse vetëm ashtu armiku do të mposhtet, e lufta duhet të zgjasë derisa të mposhte armiku. Për këtë ka forca, sepse në këtë rajon kanë jetuar dhe do të jetojnë të vëllazëruar dhe të bashkuar dhe kjo është garancia më e mirë për suksesin e luftës, e cila është në vazhdim e sipër dhe e cila pritet..”
Dhe klani vlleho-serbo-sllavomaqedonas në Strugë nuk bënë shaka, dhe pa humbur kohë hyn në veprim për qerim hesapesh me “nacionalistët dhe irredentistën.
Nisën me ekcesin e futbollit të ndodhur në Livadhi më 19 prill 1981, ndërmjet dy ekipeve “Bashkimi” e”Makedonija”, ku u dëmtua vetëm një veturë. Pas ekcesit, 5 djem nga fshati Livadhi, Gjyqi i Qarkut në Manastir i dënoi me 12,5 vite burg të rëndë dhe 15 të tjerë me nga dy muaj burg për kundërvajtje.
Më 17 shtator 1981 në Gjyqin e Qarkut në Manastir dënoi grupin prej tre vetësh për spiunazh (Ibrahim Dauti më 12 vjet, Xhemail Demiri me 6 vjet, dhe Kadri Pollozhani me 5 vjet burg të rëndë. Arrestime e burgosje pati edhe në vitet që pasuan. Në 1983 u dënua Arif Vinca me 3 vjet burg. Në 1982 dënohet Shpëtim Pollozhani me 13 vjet, Shefit Ilijazi me vjet, Inajet Bariu 3 vjet, Nuri Hoxha 1 vjet; Më 16 korrik 1984 Gjykata e Qarkut në Manastir dënoi grupin e të rinjve shqiptar nga Struga: Halit Naxhaku 15 vjet, Baftjar Elmazi me 5 vjet, Ylber Veliu (8), Mynir Ismaili (4), Lutfi Billali (8), Minir Dervishi (3) Fadil Dauti (3), pjestar të Grupit “Dorë për Dore”. Më 7 mars 1986 Gjykata e Qarkut të Manastirit dënoi të rinjtë Strugan: Tahir Hani (13) vjet, Gëzim Kaleci (7), Garip Kaba (5), Mersin Selmani (6) dhe Sulejman Hani (3) vjet burg të rëndë.
Në ditët e para të korrikut 1981, në Strugë Kryesia e Konferencës Komunale të LSPP mbajti mbledhjen e radhës, duke diskutuar për diferencimin ideopolitik në komunë dhe në mes tjerash mori vendim që të shpërndahet SH.K.A. “Drita” e Livadhisë. Inciativa për shpërndarjen e kësaj Shoqërire (vatër e kulturës shqiptare në Strugë e më gjërë) e dhanë organizatat shoqërore – politike të fshatit të cilët “vërtetuan” se SHKA “Drita”, pa u konsultuar me faktorët komunal e lokal, në vitin 1979 bëri një vizitë në disa qytete të Kosovës, si dhe është marrur vesh për bashkëpunim me RSP të Shqipërisë, ku katër anëtarët e kësaj shoqërie (Aliriza Lloga, Mendi Lloga, Nebi Dervishi e Xhemal Reçi) vite më parë për një kohë kanë qëndruar atje dhe janë marrë vesh për vizita. Disa herë kësaj Shoqërie iu dërguan ftesa për të shkruar në SHBA dhe Zvicër, kurse prapa këtyre shoqëria i dërguan ftesave qëndronin armiqt e hapt të vendit tonë” – shkruan “Flaka e Vëllazërimit” më 10 korrik 1981, dhe vazhdon: “Duhet të theksohet edhe ajo se edhe më parë Konferenca komunale e LSPP të Strugës ka diskutauar aktivitetin e disa prej anëtarëve të SHKA “Drita” dhe me atë rast nga Kryesia e shoqërisë janë larguar disa anëtarë të cilët vepronin nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë.
Fakti se iniciativa për diferencimet ideo-politike u paraqit së pari në Strugë e jo diku tjetër, pos të tjerave flet qartë edhe për agresivitetin e klanit vlleho-sllavomaqedonas në qerimin e hesapeve me „armiqt“ (lexo njerëzit dhe intelektualët kombëtarisht të shëndoshë), të cilët gjoja sipas tyre vepronin nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Ky aksion në „gjuetinë e shtrigave“ në Komunën e Strugës kishte filluar pas manifestimeve të para të „nacionalistëve“ e të „irredentistëve“, tanimë kishte dhënë rrezultatet e para konkrete.
Aktiviteti i deritashëm i zhvilluar në prill-qeshor 1981, që u organizua në Komunën e Strugës, pos në organizatat punuese e në bashkësitë lokale, kryesisht qe orjentuar në procesin arsimor. E përditshmja „Rilindja“ më datën 24 qeshor 1981, duke u bazuar në agjencinë Tanjug, të cilin shkrim një ditë më përpara e boton edhe „Veçeri“ e „Nova Makedonija“, – shkrun një artikull të gjatë me titull „Diferencimi ideo-politik – Syqeltësi, gadishmëri dhe mobilizim“, ku në mes tjerash thuhet: „ Megjithë situatën politike, situata e sigurisë në Komunën e Strugës në tërësi është e mirë, në disa mjedise u shfaqën dukuri të aktiviteteve armiqësore të pjestarëve të kombësisë shqiptare. Në këto çaste të gjitha strukturat shoqërore politike në këtë komunë e kanë orjentur aktivitetin e tyre në zbulimin e bartësve të veprimtarisë armiqësore, veçanërishtë në mesin e punëtorëve të arsimit, të nxënësve dhe studentëve të kësaj komune. Nga procesi edukativ arsimor u përjashtuan 29 nxënës QAM „Niko Nestor“. Nga kjo qendër u përjashtuan 5 profesor dhe ndaj dy të tjerëve është ngritur procedurë diciplinore për shkak të veprimtarisë armiqësore nacionaliste, fashiste e irredentiste“.
Në Shkollën Fillore „Vëllezërit Milladinovci“ – Strugë në procesin edukativo-arsimor ekcese shoviniste e nacionaliste kanë bërë arsimtarët: Masar Vinca, Lazim Kaba, e Xhemal Reçi dhe ndaj dy të tjerëve është ngritur procedurë. Diferencime ka pasur edhe në shkollat e tjera të trevës së Strugës. Në Shkollën Fillore Tetëvjeçare „Bashkimi“ – Dollogozhdë për veprimtari „armiqësore“ u përjashtuan nga puna: Shpëtim Pollozhani, Murat Pollozhani, e Lirije Ziba. Në Shkollën Fillore Tetëvjeçare „Fadil Vinca“ u diferencuan: Besnik Istrefi, e Lirie Beluli.
Diferencime pati edhe në organizatat e tjera punuese. Në Spitalin e qytetit u përjashtuan nga puna: Dr. Agim Pollozhani, Dr. Faruk Saraçi, Dr.Mentor Doko, si dhe motrat medicinale, Senija Vinca, Gëzime Ziba etj. Në Fabrikën „Struzhanka“, Bukurie Reçi. Në Hotel „Drim“-Mersim Pollozhani e Refik Poshka. Në Fabrikën „Boris Kidriç“, Adem Saliu, Tomorr Bakalli e Bujar Shaipi (i cili parashihej që të zgjidhet kryetar i sindikatës së punëtorëve në Strugë). Po në këtë fabrikë ato ditë teneqepunuesi Hajredin Mehmeti, punëtor me vetëiniciativë pret shtyllat ku vareshin flamujt, dhe lenë vetëm njërën. Ky person do të bëhet më vonë një ndër antishqiptarët në Komunën e Strugës. Në ndërmarrjen e ujrave „Crn Drim“ do të diferencohen: Habil Qyra, Nuredin Elmazi e Ramiz Merko. Në Fabrikën „Boris Kidriç“, ku punonte Veli Shaiposki, që ishte përgjegjës për kuzhinën, me nismën e tij përzihej kazani i ushqimit. Deri në këtë kohë punëtorët e besimit islam kishin kazanin e veçantë ku nuk përdorej mishi i derrit. Ky person u kanosej punëtorëve shqiptar me fjalët „ vo ova organizacia nema da ima posebno kazançe za shiptarite“. Në Gjyqin Komunal u përjashtua Nuri Hoxha, në ndërmarrjen „Ilinden“, Rasim Dauti. Në Fabrikën „Boris Kidriç“ në mesë shum të tjerëve do të përjashtohet nga puna edhe punëtori Qani Hajdari, i cili një vit më parë (1980) kishte vajtur në Shqipëri për vizitë te të afërmit. Pasi kthehet nga vizita në bisedë të lirë i ka thënë dikujt se „djathi që kishte provuar në Shqipëri ishte si kashkavall“. Në Komunën e Strugës u diferencuan Pëllumb Dika dhe Ardian Demiri.
Më 2 korrik 1981 në Strugë mbajnë mbledhje të përbashkët tri dhomat e Kuvendit Komunal të Strugës. Në këtë mbledhje Kuvendi Komunal i obligon delegatët e vet në Kuvendin Republikan që të propozojnë rishqyrtimin e ligjshmërisë për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar (gazeta „Flaka e Vëllazërimit“ 03.06.1981). Inicjativa lindi nga Bashkësia Lokale e fshatit Veleshtë (Orhan Hani e Inajet Kondrri) dhe Organizata Punuese e „Strushko Poles“ (Në bazë të proces verbalit të kësaj mbledhjeje më të zëshëm në këtë drejtim kanë qenë: Mustafa Abedinovski, Musa Muça, Destan Lloga, Liman Pollozhani, Nuredin Elmazi, Ekuran Ismaili, Veli Shaipi, Feti Sela, Sefer Xhila, Orhan Hani, Dear Asani, Xhelal Kaliqi, Feriz Kaliqi, Zini Shazimani etj.
Më 15 korrik 1981, sipas agjencisë Tanjug, delegati Veli Shaipi nga Struga, në Dhomën e Komunave të Kuvendit të Maqedonisë „sot paraqiti kërkesën drejtuar të gjitha dhomave të Kuvendit të Komunës së Strugës, me të cilën kërkohet nga Kuvendi Republikan i Maqedonisë që të mar inicjativën për ndryshimin e ligjit mbi përdorimin e flamujve. Kërkesa kishte të bënte me heqjen e nenit 1 të përdorimit të flamurit të pjestarëve të kombësisë shqiptare në R.S. të Maqedonisë. Në arsyetimin që e paraqiti delegati Veli Shahipi theksohet se: “sipas nenit 1 të Kushtetutës së R.S.M-së, kjo republikë është shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shteti i kombësive shqiptare e turke në të. Si shtet i popullit maqedonas dhe shteti i kombësive që jetojnë në të, ajo ka flamurin e vet, i cili është i kuq me yllin pesërrembësh, me të cilin gjatë revolucionit luftuan bashkarisht populli maqedonas dhe kombësit e tjera…. Ngjarjet kundërrevoluvionare në KSA të Kosovës u pasqyruan edhe në Maqedoni – thekson në vazhdim të rsyetimit për heqjen e Flamurit shqiptar – delegate Veli Shaipi, dhe vazhdon “e në refleksin e këtyre ngjarjeve, sulme armiqësore pati edhe në Komunën e Strugës… Në shumë mbledhje në OPB, nëpëër bashkësi lokale, në mbledhje e organizatave shoqërore=politike, u dënuan një zërit nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. U paraqitën kërkesa konkrete nga pjesëtarët e kombësisë shqiptare për heqjen e dispozitave nga Ligji për përdorimin e flamurit të kombësisë shqiptare, meqë flamuri që sot përdor kombësia shqiptare në RS. të Maqedonisë, në të vërtetë është flamuri i RSP të Shqipërisë, e cila nga viti 1948 zbaton politikë të vazhdueshme armiqësore kundër vendit tonë…” Delegatët e Dhomës së Komunave të Kuvendit të Maqedonisë njëzërit i popozuan Kuvendit si organ më i lartë legjislativë, që të ngrejë procedurën për ndryshimin e Ligjit të cilën e shdërroi në vendin dhe e botoi në Fletoren Zyrtare të R.M.-së në këtë vit.
Klani vlleho-serbo-sllavomaqedonas në Strugë vëren veprimtari “armiqësore dhe gjatë regjistrimit të vitit 1981. Gazeta “Rilindja” e 17.07.1981, boton një artikull me titull “Hoxhollarët nacionalistë”, gjithnjë sipas Tanjugut. “Para dhe pas regjistrimit u vërejtën aktivitete i disa hoxhollarëve shqiptarë të cilët vepruan nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmi shqiptar…”. Dhe vazhdon: “Në kontekstin e ngjarjeve në Kosovë para zbatimit dhe gjatë regjistrimit në Shkup, në Tetovë, Gostivar, Strugë e Ohër, janë paraqitur afishe me përmbajtje armiqësore nga pozita e nacionalizimit e irredentizmit shqiptaromadh, të orientuara për të penguar realizimin e qëllimeve, të detyrave dhe karakterin e regjistrimit. Para dhe gjatë regjistrimit janë vërejtur edhe disa aktivitete të klerit të bashkësisë fetare muslimane, të kombësisë shqiptare, të cilët vepronin nga pozita e ncaionalizimit shqiptar, mostoleranca fetare, identifikimi i fesë me kombin etj…” në rajonin e Strugës u dënua Kadri Pollozhani me 5 vjet burg, Nazmi Hoxha, Pajazit Qyra e Sabit Shehu-, nga Struga dhe Esheref Doko nga Koroshishta e Strugës, me banim në Ohër me 2 vjet burg.
Nga delegatët e çiftit Veli Shaipi e Mustafa Abedinovski me shokë të tjerë në Kuvendin e Maqedonisë, gjatë muajve qeshor-korrik 1981, kërkojnë nga Nijazi Limanovski revidimin e programeve mësimore në gjuhën shqipe, si dhe u kërkua fajtorët që lejuan botimin e disa teksteve shkollore (“Rilindja”, 15. 07, 1981, e Bazuar gjithnjë sipas Tanjugut. “Tekstet mësimore dhe literature rishqiptuar kanë përmbajtje, të cilat glorifikojnë idetë e huaja dhe janë të papranueshme për shoqërinë tonë”. Gjithashtu u kërkua “rishqyrtimi i teksteve në gjuhën shqipe në R.S.M.-së, ku në mes tjerash potencohet se “në disa shkolla të mesme është përdorur edhe hisoria, autor i së cilës është Ali Hadri, ku ka theksime të tepruara për Skenderbeun, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, etj”.
Duke shfletuar dokumente televante të kësaj periudhe dhe sidomos “Veçeri” Nova Makedonija”, “Flaka e Vëllazërimit” e sidomos “Rilindjen, gjithnjë sipas Tanjugut, në 16.07.1981, lexova artikullin :Diferencimi në Maqedoni 0 Kërkesa për mësim eksluzivisht në gjuhën shqipe është armiqësore, në mes tjerash thuhet: “Elementët shqiptaromëdhenj, nacionalistë e irredentisë aktivitetin e vet veçmas në pjesën perëndimore të Maqedonisë, e kanë orientuar në procesin arsimor. Arsimtarët dhe nxënësit, duke filluar prej Tetovës e deri në Strugë, pa lënë anash Shkupin, më shpesh e në mënyrë më të theksuar janë ekspozuar si bartës të ideve nacionaliste dhe iredentiste… Në Strugë, Kërçovë e në qytete të tjera aktivitet të shtruar armiqësor ka pasur prej kthimit të arsimtarëve nga “shëtitja” në Shqipëri. E tërë kjo, pamëdyshje, nuk është e rastit e as naïve, e më së paku e paorganizuar, sepse nxënësit e frymëzuar me ide shqiptaromadhe janë forcë mbi të cilën “nesër” do të mbështetet armiku…. Armiku ka depërtuar edhe në shoqëritë kulturore-artistike e sportive të formuara ekslluzivisht mbi baza kombëtare, kështu deri tani të këtilla tashmë janë tri shoqëri të shformuar…. (Rilindja, 16.07.1981).
Njëkohësisht, nuk u la pas dore represioni e përndjekja e intelektualëve shqiptarë dhe atdhetarëve të tjerë që nuk pajtoheshin me statusin e popullit të tyre në RM. Pra, në vitin 1981 përbën një etapë tjetër, mbase të veçantë të represionit e të terrorit të pushtetarëve maqedonas kundër popullit shqiptar në Maqedoni. Duke ndjekur kursin e politikës shoveniste serbomadhe pas demostratave demokratike e liridashëse në Kosovë, këta pushtetarë ndërmorrën edhe një ofanzivë fashizoide kundër popullit shqiptar në Maqedoni. Krahas arrestimit e trajtimit në polici të atyre që mendohej se mund të kishin marrur pjesë në demostratat e Kosovës ( që në Strugë u dënuan mbi 100 nxënëns e student), u trajtuan pothuajse të gjithë ata intelektualët që kishin vizituar Shqipërinë me dokumenta të rregullta. Shumica prej tyre u përjashtuan nga puna e mbetën në rrugë të madhe.
Si kudo në Maqedoni, pra edhe në Strugë në vitet që pasuan iu kushtua rrënimit të arsimit fillor e të mesëm shqiptar. Pushtetarët sllavomaqedonas detyruan arsimtarët shqiptar që të mbajnë evidencën në ditarë e nxënësve në maqedonisht edhe masa të tjera fashizoide. Me këto masa pushtetarët maqedonas shkuan deri atje sa shqiptarëve ua ndaluan me ligj lindjen e më tepër se dy fëmijëve, ndaluan pagëzimin e fëmijëve me emrat që dëshironin prindërit e tyre. Ndërsa një masë tjetër nga projekti i Vaso Çubrilloviqit ishte rrënimi i murave të oborreve të shtëpisë, rrënimi i xhamive në Strugë e Shkupë, formimi i shkollave të përziera, ku në fakt mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqenonase, etj.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!