*Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka apeluar nxënësit të heqin dorë nga lojërat e rrjeteve sociale të cilat tashmë u kanë shkaktuar lëndime të shumta disa nxënësve. Janevska tha se nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm duhet të bëjnë gara arsimore dhe jo lojëra që rrezikojnë jetën e tyre. Gjithashtu, Janevska paralajmëroi se do të bëhen ndryshime edhe në Ligjin për mësimdhënësit me qëllim trajtimin dhe mbrojtjen e tyre nga sulmet dhe fyerjet e nxënësve.
“I ftoj nxënësit, në vend se të bëjnë gara në Tik Tok të orientohen në gara arsimore dhe shkencore. Telefonat në shkollë ne mund edhe ti ndalojmë por ato sërish do të jenë në dispozicion të tyre në shtëpi, mëhallë ose mjedise tjera. Fëmijët duhet t’i pranojnë sfidat në arsim dhe shkencë dhe prindërit e tyre së bashku me shkollat duhet t’i udhëheqin drejt kësaj”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.