Punëtorët duhet ta ngrenë zërin e tyre dhe të luftojnë për të drejta më të mira, në të kundërtën do të vazhdojë shkelja e dinjitetit të klasës punëtore në Maqedoni nga ana e shefave të mëdhenj, tha Zdravko Saveski nga E majta, njofton TetovaSot.
Edhe pse qeveria e tanishme paralajmëroi dhe premtoi shumë se do të punojnë për përmirësimin e kushteve të punës për qytetarët, deri tani nuk është bërë asgjë, shton ai.
“Qeveria e re nuk ka vesh për të drejtat e punëtorëve, madje nuk i ka plotësuar as të drejtat e punëtorëve që ishin shkruar në programin e tyre për punën e Qeverisë, edhe pse është në pushtet tashmë një vit. Ka zëvendëskryeministër – përfaqësues për kapitalin e madh dhe për këtë arsye nuk mund të presim se kjo qeveri do të ketë vesh për këtë çështje. Nëse nuk e ngremë zërin dhe nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona, edhe kjo Qeveri, sikur qeveritë e mëparshme, do ta injorojë punëtorin dhe do të lejojë që shefat e mëdhenj të pasurohen në kurriz të njerëzve të zakontë”, tha Saveski.
Kërkuam qëndrim nga qeveria pas akuzave të Saveskit, ndërsa prej atje na u përgjigjën se me një pjesë të ligjeve dhe masave të sjella, dukshëm është përmirësuar jeta e punëtorëve.
“Krahas rritjes së rrogës minimale, benefitin që e ndjejnë pothuajse 90.000 qytetarë, është se Qeveria ka arritur të vendosë tarifë më të lirë të energjisë elektrike-masë kjo e cila kontribuon për përmirësimin e buxhetit vendor për kategoritë sociale. Me miratimin e Ligjit për falimentim, Qeveria për 10 muaj pozitivisht ka zgjidhur statusin e 5 000 kërkesave të punëtorëve të falimentuar dhe tregoi se është përkushtuar për t’i zgjidhur sfidat të cilat, për shumë vite ishin lënë në harresë”, nga Qeveria e RM-së.Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve mediatik u bën thirrje gazetarëve që të kyçen në protestën e 1 majit, kur do të kërkohet që menjëherë të ndërpritet injorimi i problemit me kushtet e punës së gazetarëve dhe punëtorëve mediatik. Nga sindikata thonë se gazetarët në Maqedoni, por edhe punëtorët mediatik marrin paga më të vogla sesa paga mesatare, nuk investohet në kuadro të reja, dhe çdo ditë e më shumë harrohet roli shoqëror dhe përgjegjësia të cilën e kanë këta persona .“Kjo gjendje, e cila është bërë përditshmëri për shumë gazetarë të Maqedonisë dhe punëtorë mediatik, po reflekton jo vetëm mbi cilësinë e punës dhe motivimit të tyre, por vërehet edhe në shoqërinë, e cila gjithnjë e më pak u beson storieve që janë bërë nën trysni. Gjithashtu, shoqëria gjithnjë e më pak i beson profesionit, i cili tashmë është bërë sinonim për profesion të korruptuar dhe profesion i cili paguhet pak”, nga SPGM.
Këtë vit protestë organizon edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, por tani për tani shoqatat sindikaliste ngelen të ndara, e jo të bashkuara siç paralajmëronte kryetari I ri I LSM-së, Darko Dimovski.
“Udhëheqësia e re e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë paralajmëronte se lëvizja sindikale në Maqedoni do të unifikohet, por përkundër kësaj, një ditë para 1 Majit – Ditës ndërkombëtare të Punës, në vend po organizohen katër protesta nga Shoqata të ndryshme sindikaliste. Në të kaluarën, derisa në krye të LSM-së ishte Zhivko Mitreski, ai vendoste që të drejtat e punëtorëve t’i përmirësojnë në tryezë bashkë me pushtetin, hap me të cilin nuk pajtohej udhëheqësia aktuale e Lidhjes së Sindikatave.”
Nesër nuk do të ketë vetëm një protestë, por do të organizohen katër të tilla. Megjithatë në fund të gjitha protestat do të përfundojnë para ndërtesës së Qeverisë, ku mes tjerash do të kërkohet edhe sjellja e ligjit të ri për marrëdhënie pune.