Kryeministri Zaev, akoma nuk ka vendosur nëse pas qeverisjes së tij gjashtë mujore, do ta bëjë rikonstruimin e parë të kabinetit të tij ose të do mbetet përbërja aktuale e resorëve mes parterëve qeveritarë.
Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët, nga partia e Zijadin Selës, ende nuk e dinë nëse do ta mbajnë resorin e shëndetësisë. Thonë se shëndetësinë do ta ndërronin vetëm për ministrinë e punës dhe politikës sociale, të arsimit ose të transportit dhe lidhjeve.
Tani për tani, nuk ka asnjë informacion për atë se me cilën kuadro do të dalë lideri i BDI-së për vendet e Ramiz Merkos dhe Visar Ganiut.
Nga partia e Selës, njoftojnë se Ferati është i përgatitur që të ulet në kolltukun e ish-ministrit Arben Taravari, por se për këtë akoma nuk ka marrëveshje midis partnerëve qeveritarë. Pas qëndrimit të parë të fortë se Aleanca nuk do ta japë resorin e shëndetësisë, pas mbledhjes së djeshme, nga partia e Selës, nuk janë aq të bindur më se do ta mbajnë për vete këtë ministri.
-Është e qartë se LSDM-ja dëshiron ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë. Në qoftë se ndodhë rikomponim të Qeverisë, Aleanca do të pajtohet me resor i cili ka peshën e njëjtë si shëndetësia, respektivisht Ministritë e Punës dhe Politikës Sociale, të Arsimit dhe të Transportit dhe Lidhjeve. Pasi që ende nuk ka vendim, në mbledhjen e djeshme të organit partiak, nuk e zyrtarizuam propozimin që Vullnet Ferati të jetë ministri i ri i shëndetësisë,tha për “Post.mk”, një funksionar i lartë i Aleancës.
Zaevi, dje nga foltorja parlamentare, kumtoi se gjatë këtyre ditëve, Qeveria do të propozojë një ministër të ri të shëndetësisë.
-Besoj se brenda disa ditëve do të propozohet një ministër të ri të shëndetësisë këtu në Kuvend, ministër pa resor dhe zëvendësministër, me qëllim të kompletimit të të gjitha resorëve në Qeveri. Deri në atë moment, punën e kryejnë zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe të tjerët në ministrinë, u shpreh Zaevi.
Megjithatë, negociatat mes partnerëve qeveritarë ecin vështirë dhe akoma nuk bëhet me dije kur do të arrijnë një marrëveshje.
Situata bëhet e komplikuar, sepse nuk vërehet asnjë ndryshim në pozitat e Ahmetit dhe Selës. BDI-ja do ta votojë ministrin e Aleancës, vetëm nëse Sela i kërkon falje liderit të BDI-së. Por, nga ana tjetër, Sela publikisht tha se nuk ka ndërmend që t’i kërkojë falje Ahmetit.