Femrat janë biologjikisht më të forta dhe për këtë arsye jetojnë më gjatë se meshkujt si dhe i kalojnë më mirë krizat. Është kjo ajo që konfirmon një studim amerikan, i botuar në revistën shkencore ‘PNAS’.
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit analizuan shkallën e vdekshmërisë së popullsisë botërore gjatë 250 viteve të fundit, duke marrë në konsideratë episodet më të rëndësishme në rast epidemish apo fatkeqësish të tjera në SHBA, në Suedi, Irlandë dhe Ukrainë.
Në episodet e bujshme gjatë këtyre viteve në këto shtete, kishte shumë raste vdekjesh, duke reduktuar ndjeshëm jetëgjatësinë mesatare dhe në të gjitha rastet rezultoi se femrat ishin ato që jetonin më shumë, nga 6 muaj deri në katër vite më shumë, shkruan noa.al.
Studimi zbuloi po ashtu se femrat janë më të forta se meshkujt, qysh në fëmijëri.
Sipas ekspertëve, femrat arrijnë ti përballojnë më mirë periudhat e krizës, në sajë të faktorëve biologjikë si gjenetika apo hormonet.
Estrogjenet për shembull arrijnë që të aktivizojnë mbrojtjet imunitare kundër sëmundjeve infektive, duke i bërë femrat më rezistente.