Metodija Dimovski është emëruar në postin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, pas largimit të Muhamed Zeqirit, i cili u dorëheq nga detyra për shkak të dyshimit për keqpërdorim të detyrës dhe dërgimin e tij në paraburgim.
Por cila është pasuria e Dimovskit, një personalitet shumë pak i njohur në skenën politike?
Portali Faktor.mk tashmë ka publikuar detaje për rrugën profesionale të Metodija Dimovskit. Ai mësohet se ka qenë anëtar i Këshillit Inspektues në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, që nga gushti i vitit 2017. Ai u lind në vitin 1966 në Shkup. Ka magjistruar në vitin 1994 në Universitetin e Beogradit, Serbi, në fushën e shkencave gjeografike.
Në më shumë se dy dekada karrierë profesionale, ai ka punuar në disa pozicione dhe pozicione drejtuese në administratën publike të vendit, në organizata ndërkombëtare, por edhe si konsulent i pavarur.
Sipas një liste anketuese për pasurinë të publikuar vite më parë, shihet se Dimovski posedon tri apartamente, që gjenden në Shkup. Apartamenti i parë 50 metra katrorë me një vlerë 2,46 milionë denarë, ose 40 mijë euro. Ai apartament është blerë me marrëveshje trashëgimie në vitin 2013.
Apartamenti i dytë ka 101 metra katrorë dhe vlera e tij është 3,93 milionë denarë ose afër 64 mijë euro. Ky apartament është blerë me marrëveshje shitblerje, në vitin 2006 dhe po ashtu figuron si pronë e përbashkët.
Dimovski ka edhe një apartament tjetër nga pasuria e paluajtshme, po ashtu e shënuar si pronë e përbashkët. Kjo banesë është blerë në vitin 2017 dhe ka 74 metra katrorë dhe kushton 4,3 milionë denarë ose afro 70 mijë euro.
Lista e pronave të Dimovskit nuk përfundon këtu. Ai posedon edhe tokë bujqësore në fshatin Crnik, në vlerë prej 200.000 denarë, e cila është e shënuar si pronë e tij personale dhe me sipërfaqe prej 3.570 metrash katrorë, të cilën e ka marrë me dhuratë.
Në të njëjtin fshat Dimovski ka edhe një pronë të paluajtshme personale, një shtëpi me oborr prej 300.000 denarë, prej 234 metrash katrorë, e cila gjithashtu është fituar me kontratë dhuratë.
Nga pasuria e luajtshme, si pronë e fëmijëve, Dimovski ka raportuar një veturë Peugeot në vlerë prej 240 mijë denarë, e cila është blerë, përkatësisht e fituar me kontratë shitblerjeje. Si pronë e tij personale, në pyetësor thuhet se Dimovski posedon veturë Citroen Xara, e blerë gjithashtu prej 150 mijë denarë.
Kurse një veturë tjetër, Peugeot 508, me vlerë mbi 800 mijë denarë, e zbukuron pyetësorin e Dimovskit. Për këtë pjesë të parkut të automjeteve të Dimovskit, thuhet se është lidhur marrëveshje për blerje. Si depozita bankare Dimovski ka raportuar pasurinë e bashkëshortit, përkatësisht llogarinë transaksionale, pastaj depozitën në denarë prej 61.300 denarë si pronë e fëmijëve dhe një llogari tjetër transaksionale si pronë të fëmijëve.
Më pas, në pyetësorin e tij, renditen edhe dy llogari transaksionesh si pasuri personale, e fituar në një mënyrë tjetër.
Por edhe sekretari i ri i qeverisë së re ka borxhe, të cilat i figurojnë si pronë e tij personale. Domethënë, Dimovski ka një kredi prej 550.000 denarë, nga viti 2017.
Por, në pyetësorin e tij është shënuar edhe kredia prej 2.500.000 denarë, gjegjësisht afër 41 mijë euro, e cila daton nga viti 2006 dhe do të shlyhet deri në vitin 2026, që do të thotë se tashmë është në përfundim të pagesës. (INA)