Ligjvënësi nga Indiana, Jim Banks drejton një grup ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët kanë hartuar një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën veriatlantike.
“Ne besojmë se është koha për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, thuhet në letër.
Pas takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis, ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, i tha Zërit të Amerikës se Shkupi i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO dhe se mosmarrëveshja me Greqinë është çështja e vetme që mund ta pengojë Maqedoninë që të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës veri-atlantike, transmetopn ZHurnal.
“E vetmja gjë që nuk dihet deri në takimin e korrikut është nëse do të arrijmë konsensus me Greqinë për çështjen e emrit. Ne shpresojmë që ju nuk do të ndaleni tek pragu i dyerve të NATO-s”, tha Mattis duke përgëzuar atë që ai e përshkroi si rezistencë të Shkupit ndaj ndikimit keqdashës të Rusisë në Ballkan.
Disa ekspertë thonë se zgjerimi i NATO-s do të përmirësonte qëndrueshmërinë në Ballkan, duke rritur rolin e aleancës në rajon.
“Maqedonia ka patur status të paqartë për një kohë tepër të gjatë”, thonë ekspertët.
Ish ndihmës sekretari amerikan i mbrojtjes, Michael Carpenter, thotë se përfshirja e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e çështjes së emrit mund të ndihmojë në përpjekjet për t’iu kundërvënë rritjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan.
“Nëse nuk ka presion të jashtëm, atëherë mosmarrëveshja mund të zgjasë përgjithmonë. Mendoj se në rrethanat e tanishme politike është e mundur që të gjendet një zgjidhje për këtë problem. Nëse Maqedonia nuk merr ftesën për anëtarëim në takimin e korrikut, kjo nuk do të thotë që ne duhet të presim deri në takimin e vitit të ardhshëm”, thekson ish ndihmës sekretari amerikan i mbrojtjes, Michael Carpenter.
Luke Coffey nga Fondacioni Heritage thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ndikim të konsiderueshëm dhe duhet ta përdorin atë.
“Një telefonatë me fjalë shumë të forta nga Shtëpia e Bardhë mund t’i kishte dhënë fund këtij problemi shumë vite më parë”, vlerëson Luke Coffey nga Fondacioni Heritage.
Ndryshe, Greqia ka propozuar ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë që do të eliminonte çdo pretendim territorial të ish-republikës Jugosllave ndaj një rajoni në Greqinë Veriore, historikisht të lidhur me Aleksandrin e Madh. Ndërsa arritja e një marrëveshjeje mbetet e pamundur edhe pas 20 takimeve, ekspertët thonë se anëtarët e NATO-s ka të ngjarë ta shqyrtojnë çështjen, madje edhe ndërsa bisedimet mes Athinës dhe Shkupit vazhdojnë përpara takimit të ardhshëm të NATO-s më 11 korrik në Bruksel.