Izet Mexhiti: VLEN do të jetë fitues, BDI e ka humbur luftën ende pa filluar
Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti në debatin në Pressing në T7 tha se këto zgjedhje lokale janë të rëndësishme për VLEN, por se BDI e ka humbur luftën ende pa filluar.
Sipas tij, BDI apo AKI e tashme është barazuar me disa parti të vogla, të reja ku secila prej tyre ka nga 3, 4 kandidatë për kryetar komune dhe po përçahen. E patëm rastin me Thaçin, siç shton, që nuk është më pjesë e Frontit kombëtar, pastaj disa subjekte më të vogla që janë me një këmbë jashtë, si partia turke, boshnjake apo rome.
“Pra janë në kërkim të identitetit apo për të kamufluar atë pjesë të BDI-së se e pret një reformë e thellë, pasi kjo ishte porosia edhe e qytetarëve në zgjedhjet e kaluara dhe e ndërkombëtarëve, sepse gjysma e kryesisë është në listat e zeza amerikane”, tha Mexhiti.
VLEN si subjekt i ri, sipas Mexhitit do të jetë fitues dhe do të lëviz para, derisa brenda kësaj periudhe tjetërsimi prej 8 vitesh dhe eliminimit të figurave që kanë mundur të jenë trashëgimtarë të Ali Ahmetit, “BDI -në e sollën në një gjendje të rëndë dhe të fillojë ai fenomeni i PPD-së së dikurshme dhe shthurjes nga skena politike”.
Sipas Mexhitit, në këto zgjedhje VLEN ka shkuar edhe më larg, ku në Strugë ka dalë me kandidat të pavarur siç është ish kryetari i OEMVP-së Mendi Qyra që ka mbështetjen e VLEN-it, pastaj në Çair ku bartës liste është Muhamed Murtezi që vjen nga sektori civil si dhe Ariton Rama nga pjesa akademike.
“VLEN po ritet, po unifikohet, emërtimi i VLEN është emërtim i përbashkët, sepse shumë pak përmenden subjektet politike brenda saj, si LD, Besa, apo Alternativa, ne flasim me një zë, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtetin qendror, apo lokal, ndërsa të tjerët po përçahen”, ka thënë Mexhiti, njëherësh kandidat për kryetar të komunës së Çairit.