Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot vizitoi lagjen Sahat-Kullë, ku po zhvillohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në këtë komunë, me vlerë prej 1 milion euro.
Projekti parasheh zëvendësimin e tubacioneve të vjetra prej azbesti, duke garantuar furnizim me ujë të pastër dhe kanalizim funksional për mbi 2.000 banorë. Punimet po realizohen në 9 rrugë të kësaj lagjeje, e cila për vite me radhë kishte mbetur e anashkaluar.
“Vetëm këtë vit, përmes Ministrisë së Mjedisit, janë realizuar mbi 12 milion euro investime në Çair, pa llogaritur edhe 60 milion euro të tjera për Universitetin ‘Nënë Tereza’ dhe parkingun qendror. Ne po i realizojmë premtimet tona”, u shpreh Mexhiti.
Ky projekt shihet si një prej hapave më konkretë drejt përmirësimit të infrastrukturës bazë dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët e Çairit.