Vetëm 6 kandidatë kanë aplikuar për trajnimin me pagesë për oxhak-pastrues të cilin e shpalli Qyteti i Shkupit para 10 ditësh ndërsa kërkohen 25 persona.
Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov më 30 prill u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për trajnimin për oxhakpastruesi cili do të zgjas 3 muaj dhe më pas do të ndihmohen për të filluar biznesin e tyre. Ky projekt, siç paralajmëroi Shilegov, po zbatohet si një nga masat për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe për shkak të numrit të pa mjaftueshëm të oxhak-pastruesve.
Për shkak të numrit të vogël të kandidatëve të interesuar, nga kabineti i kryetarit Shilegov thonë se konkursi do të vazhdojë.
Në konkurs kërkohen 25 persona, të cilët do të marrin një pagesë mujore prej 9000 denarë për kohëzgjatjen e trajnimit. Pas përfundimit të trajnimit, secili kandidat, përveç një certifikate, do të pajiset me materiale bazë për hapjen e biznesit të vet që nga shtatori. Qyteti i Shkupit do të fillojë me subvencionimin e amvisërive për pastrimin e oxhaqeve ndërsa janë parashikuar 10 milionë denarë nga buxheti.