Portali Infomax në gjuhën maqedonase, mjaft i afërt me qeverinë e kaluar VMRO-BDI, shkruan se kohën e fundit gjithnjë e më të zëshme janë spekulimet se Ali Ahmeti po bëhet gati të largohet nga kreu i BDI-së.
Shkak për këtë hap, sipas portalit në fjalë, janë sinjalet që vijnë nga ndërkombëtarë një kohë të gjatë se duhet të largohen.
Nga burime partiake në BDI, ky portal ka marrë vesh se Ahmeti ka vendosur të largohet me kohë, para se të fillojë fushatë më e hapur dhe më serioze kundër tij nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Përveç përmes mediumeve, ky presion do të mund të zhvillohej edhe “mekanizmave të PSP-së dhe Prokurorisë Publike të cilat edhe sikur të mos ketë vepër penale, munden ta inskenojnë”.
Sipas disa burimeve, Ahmeti ka ndërmend të tërhiqet kah mesi i këtij viti, diku në maj ose qershor, kurse sipas burimeve tjera, në pjesën e dytë të këtij viti, transmeton Gazeta Lajm.
Dëshira e tij është që të tërhiqet pas miratimit të Ligjit për gjuhët, zgjidhjes së çështjes së emrit dhe marrjes së ftesës për në NATO dhe datës për fillim të negociatave me BE-në. “A do të realizohet kjo, mbetet të shohim”, shkruan Infomax.
Tërheqja e tij eventuale gjithsesi do të jetë një lajm i mirë për shqiptarët e Maqedonisë, duke marë parasysh se gjatë kohës që udhëhoqi BDI-në si parti në pushtet, nuk u realizuan shumë përfitime që kishin shqiptarët nga Marrëveshja e Ohrit.