Nga Beqir Sina/INA
AnnaMaria Gjomarkaj nga Hempstead, Long Island, është fituese e një çmimi prej 1 milion dollarësh në shorteun e Mega Millions të Lotarisë së Nju Jorkut.
Lajmi u bë i ditur nga blogu zyrtar i fituesve të Lotarisë së Nju Jorkut, ku thuhet se ajo kishte blerë biletën fituese në pikën “Smokes 4 Less”, e ndodhur në adresën 59 North Plank Road, në East Newburgh – rreth 70 milje në veri të qytetit të Nju Jorkut, përcjell INA.
Asaj i mungoi vetëm një numër për të fituar jackpot-in që kapte vlerën mbi 50 milionë dollarë.
Pas zbritjes së taksave, nga çmimi prej 1 milion dollarësh, ajo përfitoi një shumë neto prej 651,000 dollarësh në dorë, pasi iu mbajtën rreth 35% për detyrime tatimore.
Lotaria e Nju Jorkut vazhdon të jetë një ndër më të mëdhatë dhe më fitimprurëset në Amerikën e Veriut, duke kontribuar rreth 3.8 miliardë dollarë në vitin fiskal 2023–2024 për sistemin e arsimit publik në shtetin e Nju Jorkut. Vetëm gjatë kësaj periudhe, Mega Millions gjeneroi mbi 441 milionë dollarë nga shitjet, ndërsa distriktet shkollore në Qarkun Nassau përfituan mbi 220 milionë dollarë në formën e fondeve për Ndihmën Arsimore të Lotarisë.
Autoritetet e lotarisë rikujtojnë qytetarët se, nëse ata ose dikush që njohin përballet me varësi nga lojërat e fatit, mund të kërkojnë ndihmë në faqen zyrtare NYProblemGamblingHelp.org, të telefonojnë pa pagesë linjën konfidenciale HOPEline në 1-877-8-HOPENY (1-877-846-7369), ose të dërgojnë një mesazh me tekst në numrin 467369 (HOPENY).(INA)