Të nderuar kuvendarë, miq, shokë, bashkëveprimtarë, struganë të dashur,
U jam mirënjohës pafund për besimin e dhënë dhe për nderin e madh, që unë të jem bartës i një procesi që do të sjellë ndryshimin për Strugën tonë, kësaj bukurie natyrore që Zoti na e fali.
Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të këtij procesi dhe thellësisht i bindur për përgjegjësinë e madhe të cilën po e marr përsipër bashkë me ju.
Zotohem para jush dhe para çdo strugani se qeverisja me ndershmëri do të jetë caku ynë kryesor, ndërsa transparenca do të jetë mënyra kryesore përmes së cilës do të arrihet kjo. Ta rikthejmë besimin tek institucionet lokale, të japim shembullin se mund të qeveriset me nder e dinjitet dhe se qytetarët do mund të jenë krijuesit e politikave lokale.
Gjatë ditëve në vazhdim do të vizitojmë çdo vendbanim, çdo lagje të Strugës me rrethinë, do t’i takojmë qytetarët pa asnjë dallim, të njihemi më përsëafërmi me hallet dhe problemet e tyre, e ne, përmes programit tonë të gjejmë zgjidhje për një Strugë që duam t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme.
Bashkë do ta dëshmojmë se qeverisja e ndershme, investimet me plan dhe strategji serioze zhvillimore do të na çojnë në një nivel tjetër të politikës lokale. Nivel, në të cilin premtimi për ujë të pijshëm e rrjet kanalizimi nuk do të zë vendin kryesor, siç ndodh në gjithë këto vite pluralizëm. Uji cilësor për pije është e drejta e çdo qytetari, ndërsa institucionet, komuna është e obliguar që ta sigurojë atë.
Të jetosh në Strugë, mes kësaj natyre të bukur e të mos kesh ujë për pije, tregon më qartë për situatën në të cilën gjendemi. Ne zotohemi se do të ofrohmë zgjidhjen e këtij problemi të kahmotshëm të komunës sonë.
Të nderuar, Struga është e vogël e ne gjithë njihemi mes veti, o jemi miq, o shokë, o farefis, o familjarë, o fqinj, prandaj, me përulje po Ju drejtohem e Ju lus që në ditët në vazhdim të komunikojmë, të flasim me njëri tjetrin, të çojmë mesazhin tonë tek çdo qytetar i Strugës e t’ua dëshmojmë atyre se rruga jonë, ideja jonë për Strugën e gjeneratave të ardhshme është ajo e drejta, e vërteta dhe më e ndershmja.
Struga ka nevojë për një fillim të ri, pa korrupsion, pa tarafe, ka nevojë për një kryetar që është në shërbim të qytetarit dhe jo të një grupi të vogël interesi. Është koha për ta bërë Strugën ashtu siç duan shumica e struganëve.
Para jush dhe qytetarëve të Strugës jap fjalën se nuk do të toleroj korrupsionin, vjedhjen dhe dukuritë tjera negative që jemi mësuar t’i shohim gjatë qeverisjes aktuale me komunën tonë. Struga meriton qeverisje me duar të pastërta.
Jam i hapur për çdo sugjerim, këshillë, vërejtje e çdo gjë tjetër që është për të mirën e qytetit dhe komunës sonë.
Sinqerisht, Ju falënderoj e bashkë na priftë e mbara. Dalshim faqebardhë!