Ibraimi nga Zhelina: Opozita nuk ka ofertë, vazhdon të zhytet në llom

Njëri nga liderët e VLEN, Zeqirija Ibraimi ka thënë në tubimin e sontëm në Zhelinë se në këto zgjedhje hyjnë me një kapital të madh duke kërkuar që edhe këtë pjesë të pushtetit lokal ta kthejnë në sukses.
“Në Zhelinë nuk kemi çka të flasim, sepse vetëm një qarkullim i vogël në rrugët e Zhelinës mjafton ajo fjala e urtë: fshati i mirë nuk do kallauz. Pra, mjafton që të shohësh rrugët e Zhelinës që ta kuptosh se pse duhet ta votosh përsëri Blerimin”, tha Ibraimi.
Në këto zgjedhje, tha ai, e kemi fytyrën çel që të kërkojmë votën për çdo kandidat të VLEN-it, pasi e dimë se kjo votë është e përkthyer në sukses për të mirën e gjithë qytetarëve.
Ai ka edhe disa fjalë për opozitarët:
“Oponenca në mungesë të një oferte për pushtetin lokal, vazhdon të hyjë thellë e më thellë në llom, duke bërë gabim pas gabimi siç bën lideri i tyre duke emërtuar shqiptarët me emra të kafshëve vetëm pse nuk merr votat e shqiptarëve”, ka thënë Ibraimi.
