Ibrahimi: VLEN ka treguar rezultate të dukshme, BDI nuk arriti të bëjë as ligj për UÇK-në

Zeqirija Ibrahimi, një nga liderët e VLEN tha sonte në tubimin në Gostivar se me opozitën kanë një dallim substancial, sepse siç tha “nuk jemi në valët e njëjta të komunikimit”.
“Ne çdokund flasim se si të bëjmë ujin e pijshëm, çështjen e infrastrukturës, rrugëve, shkollat e reja apo çerdhet, ambulancat, ata gjithkund flasin për lakej, zagarë, shqiponja dhe thjesht nuk jemi në valë të njëjtë të komunikimit dhe mendoj se ne nuk jemi fare në garë me ata, sepse ata janë në garë me të kaluarën e tyre dhe ne në garë për të ardhmen e qytetarëve tanë”, tha Ibrahimi.
Ai tha se se VLEN për 15 muaj në qeveri ka treguar rezultate të prekshme dhe të dukshme që janë të pamohueshme dhe siç tha, “oponentët tanë e kanë frikë edhe t’i përmendin, sepse vetë nuk arritën asnjëherë t’i përmbushin.
Ai ka prekur edhe tema tjera të rëndësishme siç është çështja e UÇK-së e që opozita asnjëherë nuk arriti të bëjë një ligj të vetëm.
“Ata kanë miratuar ligjin për branitellat, e kanë plotësuar e ndryshuar shumë herë, por nuk kanë bërë asnjëherë ligj për UÇK-në edhe pse i kanë fituar zgjedhjet përmes UÇK-së dhe ishte VLEN dhe deputetja jonë Imërlije Saliu Fetai e cila e bllokoi ligjin e branitellave në Kuvend, ata nuk e bënë këtë”, ka thënë Ibrahimi.
