Ibrahimi: Heshtja e BDI-së pas sfidës sime është dëshmia më e qartë e dështimit të tyre!
Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka komentuar heshtjen e Frontit AKI-Soravi-BDI pas sfidës që ua bëri nga Tetova, duke kërkuar një krahasim të drejtpërdrejtë të punës dhe investimeve.
“Edhe pasi kanë kaluar disa ditë, Fronti AKI-Soravi-BDI ende nuk është deklaruar për sfidën që ua bëra nga Tetova – cilin vit të mandatit të tyre duan ta krahasojnë me investimin njëvjeçar të VLEN-it në projektet e komunave? Madje, që t’ua lehtësoj, ua dhashë mundësinë që t’i mbledhin krejt vitet e qëndrimit të tyre në pushtetin qendror e lokal dhe t’i krahasojnë numrat e projekteve dhe shumat e ndara për zhvillimin e komunave me projektet e këtij njëvjeçari të VLEN-it”, ka theksuar Ibrahimi.
Ai theksoi se sfida mbetet e hapur dhe se qytetarët tashmë po e shohin qartë dallimin midis një pushteti të korruptuar që harxhoi dy dekada pa rezultate dhe qeverisjes së re të VLEN-it që në vetëm një vit ka sjellë investime konkrete në komuna.