Ibrahimi: Familja e Ali Ahmetit ka ndërmjetësuar shitjen e aksioneve nga Mijallkovi te banka e Vuçiqit
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka dalë sot në një konferencë për media me akuza serioze ndaj BDI-së dhe familjes së kryetarit të saj, Ali Ahmeti. Sipas tij, familjarë të Ahmetit janë përfshirë në një aferë politiko-financiare me përmasa të mëdha, duke ndërmjetësuar transaksione aksionesh midis figurave të dyshimta në Maqedoninë e Veriut dhe institucioneve financiare të lidhura me regjimin serb.
Ibrahimi theksoi se më 17 shtator 2025, kompania “AS Senjak”, në pronësi të një familjari të afërt të Ali Ahmetit, ka shitur aksionet në Stopanska Banka – Manastir, te “Alta Banka” nga Beogradi, një institucion financiar që, sipas tij, është i lidhur drejtpërdrejt me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
Më alarmuese, sipas tij, është fakti se këto aksione, afro një vit më parë, ishin blerë nga Sasho Mijallkovi, ish-shefi i DSK dhe një figurë kyçe e skandaleve kriminale gjatë regjimit të mëparshëm.
“Kemi një linjë të qartë: Sasho Mijallkovi ia shet aksionet familjes së Ali Ahmetit, ndërsa ata më pas i shesin te banka e regjimit të Vuçiqit. Kjo tregon një lidhje të drejtpërdrejtë financiare midis Mijallkovit, familjes Ahmeti dhe strukturave serbe”, deklaroi Ibrahimi.
Ai publikoi edhe datat e transaksioneve, duke theksuar se blerja e aksioneve nga kompania e Mijallkovit “Best Vej Investment” është bërë më 24 tetor 2024, ndërsa shitja te banka serbe ka ndodhur më 17 shtator 2025.
Ibrahimi vlerësoi se kjo marrëveshje është dëshmi e përfshirjes së drejtpërdrejtë të familjes Ahmeti në marrëdhënie të dyshimta me struktura që ai i cilësoi si “antishqiptare”, duke e akuzuar BDI-në për heshtje dhe mungesë transparence.
“BDI fshihet dhe turpërohet, sepse pas retorikës patriotike fshihet një e vërtetë e ashpër, para, kriminalitet, interes personal dhe lidhje me strukturat që tradicionalisht kanë qenë kundër interesave shqiptare”, tha më tej ai.
Ai e quajti BDI-në “kompani private e Ali Ahmetit për krim, korrupsion dhe pasurim familjar”, duke paralajmëruar se kjo është vetëm një pjesë e mozaikut dhe se “koha e së vërtetës ka filluar”.
VLEN ka premtuar publikimin e mëtejshëm të dokumenteve dhe provave që, sipas tyre, do të zbulojnë lidhje të tjera të ngjashme.