Hungaria do të heqë shumicën e kufizimeve ndaj pandemisë, duke përfshirë masën e izolimit gjatë orëve të natës, sapo që numri i të vaksinuarve të arrijë 5 milionë këtë fundjavë, tha të premten kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Orban i tha radios shtetërore se nuk do të ketë më nevojë që banorët të mbajnë maskat në ambiente të hapura.
“Kjo do të thotë që ne kemi mundur valën e tretë të pandemisë”, tha Orban, duke shtuar se ka ardhur koha për t’i thënë “lamtumirë maskave” në vendet publike.
Hungaria është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që ka miratuar dhe përdorur vaksinës Sputnik të Rusisë dhe ato kineze.
Kjo i ka mundësuar këtij vendi që të arrijë një nga nivelet më të larta të vaksinimit në BE. Rreth 50% e popullsisë prej rreth 10 milionësh, tashmë kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës.
Shumica e bizneseve tashmë janë hapur, duke përfshirë hotelet, restoranet pastaj teatrot, kinematë, palestrat dhe vendet tjera sportive.
Vitin e kaluar ekonomia e këtij vendi u tkurr për 5 për qind. Kryeministri Orban ka thënë se rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë më e lartë se parashikimi aktual i qeverisë prej 4.3 për qind.