Qeveria holandeze, në një letër dërguar Kuvendit, tha se Holanda do t’i japë Ukrainës 200 raketa kundërajrore sa më shpejt që është e mundshme.
Në letër gjithashtu thuhet se stafi i ambasadës holandeze do të zhvendoset nga qyteti Lviv në Jaroslaw, matanë kufirit, në Poloni, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
“Duke u bazuar në kërkesën nga Ukraina, “Holanda do të ofrojë 200 raketa “Stinger” për mbrojtje ajrore”, thuhet më tej në letrën e qeverisë holandeze.
“Bashkë me aleatët tanë, Ministria e Mbrojtjes synon që këto materiale të dërgohen sa më shpejt që është e mundshme”, shtohet në letrën zyrtare.
Më herët këtë muaj, Holanda i ka premtuar Ukrainës edhe pajisje të tjera si ndihmë, përfshirë pushkët, municionin, sistemet e radarëve dhe robotët për zbulimin e minave.