Konferencë për shtyp të përfaqësuesit të BDI-së dhe kryetar i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka:
Të nderuar
Siç e dini, Dibra ishte komuna e cila duhej të luftonte betejën më të vështirë kundër COVID-19. Ne përjetuam se si është izolimi edhe atë jo vetëm në shtëpi, por edhe me pjesën tjetër te vendit.
Me një menaxhim të përgjegjshëm, duke ndjekur me përpikëri rekomandimet dhe kufizimet dhe me ndihmën e infermierëve, mjekëve tanë, OJQ-ve dhe shumë njerëzve të tjerë që punuan për të siguruar furnizimin me ushqim, ilaçe dhe mallra të tjera të nevojshme, ne fituam këtë betejë.
Që nga 13 Prilli, Dibra është pa Virus, ne nuk kemi asnjë rast të vetëm pozitiv në komunën tonë. Si kryetar i Komunës jam krenar dhe mirënjohës për të gjithë ata që na përkrahën dhe gjithashtu për qytetarët tanë që duruan dhe treguan përgjegjësi.
Disiplina, përgjegjësia dhe qëndrueshmëria kanë qenë përbërësit e suksesit tonë në luftën kundër koronës, por gjithashtu dhe veçanërisht testimet masive dhe strategjike. Siç tha kryetari Ali Ahmeti dje, ne jemi në një luftë kundër një armiku të padukshëm. Më lejoni të shtoj, se testimi është mënyra e vetme për ta bërë të dukshëm këtë armik dhe për ta luftuar atë me sukses.
Po, ne e kemi ndaluar me sukses virusin në Dibër, dhe gjithashtu edhe në të gjithë vendin, dhe duket se e kemi tejkaluar kulmin. Tani është koha për të gjetur rrugën drejt normalitetit. Të gjithë flasin tani për heqjen e kufizimeve, për rifillimin e ekonomisë dhe jetën tonë sociale. Kafenetë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare do të rihapen së shpejti, ne po kthehemi në rutinën tonë sociale hap pas hapi. E gjithë kjo është e rëndësishme dhe e domosdoshme dhe unë si çdo qytetar tjetër në këtë vend, jam shumë i lumtur për këtë.
Megjithatë, dua të theksoj shumë qartë, se nuk është koha për eufori, nuk është koha për të nxituar. Kriza dhe rreziku ende nuk kanë përfunduar. COVID-19 nuk ka përfunduar akoma. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm – duhet t’i ndjekim rekomandimet higjienike, duhet ta mbajmë distancën sociale në një largësi të arsyeshme dhe do të duhet të përpilojmë masa të reja, lehtesuese për të zëvendësuar heqjen e kufizimeve të rrepta.
Por masa më e rëndësishme është monitorimi profesional dhe strategjik. Deri më tani, kemi pasur 19.739 testime në Maqedoninë e Veriut, prej të cilave 1.694 raste pozitive. Nëse numri i testimeve në vend ka qenë në rritje gjatë ditëve të fundit, kjo është për shkak rritjes së numrit të testimeve ku ne e kërkojmë në vazhdimësi. Duhet të prijmë në rajon dhe të jemi ndër më të mirët në Evropë. Si një vend anëtar i ardhshëm i BE-së, ne duhet të veprojmë tashmë si një vend i BE-së, pse jo edhe më mirë. Kjo do të thotë që të paktën duhet të trefishojmë numrin e testimeve në kokë banori, dhe në javë. Si hap i parë duhet të bëjmë të paktën 500 teste në ditë, për të arritur 750 në ditë për një kohë të shkurtë. Nëse duam t’i rikthehemi normalitetit dhe të shmangim një valë tjetër, duhet të sigurohemi që të gjithë ata që shfaqin simptoma, të vijnë menjëherë për testim. Ka shumë për të thënë rreth virusit, por një gjë që dihet dhe është vërtetuar në gjithë botën, është se, rritja e numrit të testimeve është mënyra më efektive për të izoluar pacientët dhe për të parandaluar një shpërndarje të re.
Prandaj, kemi nevojë për një strategji serioze të testimit, duke ndjekur modele të suksesshme të vendeve evropiane. Kjo do të thotë, që ne nuk duhet të testojmë vetëm qytetarët me simptoma dhe njerëzit që kanë qenë në kontakt me njerëzit e infektuar, për t’i izoluar me kohë dhe kështu të mbrojmë pjesën tjetër. Testimi i synuar, siç njoftohet nga Ministria e Shëndetësisë është një hap i parë i rëndësishëm. Por, gjithashtu duhet të testojmë rregullisht edhe pjesë të caktuar të popullatës për të marrë një pasqyrë të qartë rreth zhvillimit të situatës. Dhe po ashtu kemi nevojë për shembuj periodik nga fabrikat dhe vendet e tjera, ku punojnë më shumë njerëz së bashku.
Rritja e testimeve pas një strategjie serioze – është thelbësore për të luftuar virusin në vendin tonë, por edhe për të hequr kufizimet dhe për t’iu rikthyer një normaliteti sa më shpejt që të jetë e mundur. Monitorimi profesional duhet të kombinohet me masa higjienike dhe vetë-përgjegjësi, për të parandaluar një shpërthim të ri pas heqjes së kufizimeve. Është mënyra e vetme për të mbrojtur qytetarët tanë dhe gjithashtu edhe ekonominë. Askush nuk do të përfitonte nga heqja e kufizimeve, nëse do të vinte deri tek një shpërthim tjetër dhe do të na duhej të mbyllnim gjithçka përsëri. Pra, testimi masiv është mënyra e vetme që së shpejti të kthehemi në rutinën tonë, në jetën tonë siç ne e dimë.
Download link
https://wetransfer.com/downloads/ef97e2e1f5a0badbc06fcefcfaa4ec9820200513134634/89dc206ff4de70fc437ca282f2b6898020200513134736/c66b4d