Tuesday, September 23, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionHalit Naxhaku: LAMTUMIRË FON I DASHUR! Kushtuar: Irfan Vlashit (1938 –...

Halit Naxhaku: LAMTUMIRË FON I DASHUR! Kushtuar: Irfan Vlashit (1938 – 15 shtator 2025)

LAMTUMIRË «FON» I DASHUR!

Kushtuar: Irfan Vlashit (1938 – 15 shtator 2025)

U bë një javë pa daj FONIN tonë të dashur. Na iku edhe një lis i gjatë, me rrënjë të ngulura thellë në tokën arbërore. U shua një jetë, por qiellit iu shtua edhe një yll i pashuar më shumë, për të na ndriçuar e për të na bërë dritë, atje ku e ka vendin përjetësia.

Më 15 shtator 2025 morëm lajmin e kobshëm e të trishtë për ndarjen nga jeta të veprimtarit, aktivistit dhe atdhetarit tonë të dalluar, Irfan Vlashi. Emri i tij nuk njihej vetëm në Veleshtë, Strugë, Maqedoninë e Veriut e Kosovë, por në mbarë shqiptarinë.

Ky emër për çdo shqiptar atdhedashës, veçanërisht për gjeneratat më të vjetra, ka domethënie të madhe. Shumica e njihnin personalisht, por të rinjtë dhe të rejat – sidomos brezat e rinj – duhet ta mësojnë, ta njohin dhe të dinë më shumë për këtë personalitet. Sepse ai ishte një emër i veçantë, shumë i veçantë, që do t’u ndihmojë të trashëgojnë rrugën e drejtë, të pa gabuar, njerëzore, familjare dhe kombëtare, si një udhërrëfyes i devotshëm.

Irfan Vlashi, apo siç e thërrisnim ne daj FONI, që herët, qysh para vitit 1969, ende 31 vjeç, iu përkushtua çështjes kombëtare. Për këtë u dënua me 4 vjet burg të rëndë, në një kohë kur shqiptarët e tjerë edhe të flisnin shqip e kishin të vështirë. Që nga ajo kohë e deri në frymën e fundit, ai nuk u ndal kurrë. Jeta e tij mbetet një shembull i gjallë veprimtarie kombëtare e humanitare: aksionet për ndihmën ndaj skamnorëve, përkrahja e arsimit shqip dhe mësuesve, kontributi si kryetar i degës së “Nënë Terezës” në Strugë.

Në një rast, duke dërguar ndihma në Kosovë, pati aksident të rrezikshme komunikacioni dhe familja e tij dha edhe një fëmijë dëshmor – një nga më të rinjtë e kombit në atë kohë. Ai dha shumë për shkollat shqipe, për Universitetin e Tetovës, për sistemimin e refugjatëve dhe në çdo rast ishte ushtar i urtë, i përkushtuar e i disiplinuar i kombit dhe atdheut.

Në qelitë e burgjeve dhe në veprimtarinë kombëtare ia njihnim mirë burrërinë, trimërinë, virtytet dhe meritat. Ai ishte i plotësuar si familjar, prind, mik, shok e dashamirë, veprimtar dhe atdhetar. Mbi të gjitha, ishte Njeri, në kuptimin e plotë të fjalës. Këtë e vërtetoi gjatë gjithë jetës së tij me punë, djersë, mund e dije, pa u kursyer për asnjë çast, për plot 86 vitet e tij. Gjithmonë i pari ndër të parët.

Shko i dashur daj «FONI» dhe bashkohu me plejadën e shokëve të tu, të burgosurve politikë të Idrizovës dhe dëshmorëve të kombit që nuk janë më në mesin tonë: Xhemil Islami, Mr. Naim Ibrahimi, Petrit Bomova, Rexhai Qerimi, juristi Xhemail Demiri, imami Kadri Pollozhani, Gëzim Kaleci, Shefit Ilazi–Flamuri, Seidi Lloga, Zuhdi (Lasko) Bakiu, Kadri Labenishti, Demal Lena, Naser Hani, Tahir Hani, Sulltan Mehmeti, Prof. Arif Vinça, Nuri Çapri, Murat Jashari, Murtezan Gege, Rafi Halili, Zaim Begiri e shumë të tjerë që kanë kaluar nëpër portën famëkeqe të burgut të Idrizovës, ku edhe sot është i mbushur plot shqiptarë!

Atje do të takosh gjithashtu udhëheqësin tonë shpirtëror, babain e kombit Adem Demaçi, heroin legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitin, shumë dëshmorë të tjerë, si Xheve e Fehmi Lladrovci. Do të gjesh atje trurin e lëvizjes kombëtare, Mr. Ukshin Hotin, Mr. Alil Alidemajn, Ali Aliu–Kelmendi, si dhe heronjtë Gafurr Loku, gjeneral Jashar Saliu, gjeneral Xheladin Gashi–Plaku, komandant Ismet Jashari–Kumanova, komandant Mejdi Asllani, komandant Nuri Mazaria, komandant Harun Aliun dhe të tjerë…

Për të numëruar të gjitha veprat e tua duhen shkruar libra të tërë, e serish do të mbeten shumë pa u përmendur.

Qoftë i lehtë dheu i Veleshtës dhe i atdheut tënd të dashur, që e deshe pa masë dhe që të deshi po aq shumë.

Halit Naxhaku
Shtator 2025, St. Gallen, Zvicer

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments