Halil Kastrati është një nga humanistët më të njohur dhe më të dashur shqiptar. Me nismën dhe shoqatën e tij ‘Jetimat e Ballkanit’ ai deri më tani për dy vite e gjysmë ka bërë mbi 200 familje me strehim.
Ai në një intervistë për Info Magazinë ka folur jo vetëm rreth qëllimit të tij, por edhe për dhimbjen dhe shpresën që ka për djalin e tij të sëmurë, Uvejsin.
‘Në momentin që u radhita në mesin e prindërve që kanë një fëmijë të sëmurë, edhe unë kërkova lutje nga populli për djalin. Edhe pse mjekët thanë që nuk ka shpresa, shikimi nuk do t’i kthehet. Por ne kemi shpresa dhe ka shenja pozitive. Shpresojmë te Zoti dhe falë terapive. Shpresoj të t’kem jetë që ta shoh atë t’i kthehet shikimi. Jam mirënjohës për popullin tim për lutjet e tyre dhe keqardhjen e tyre’, është shprehur Kastrati, përcjellë Indeksonline.
Humanisti ka folur edhe për punën që bën ai, teksa ka thënë që nuk ka ndjenjë më të bukur se të gëzosh një të varfër, një fëmijë bonjak e ta bësh një familje me strehë.
‘Çdo lajm i mirë që jep, të bën të ndihesh krenar. Ndjehesh krenar dhe i lumtur kur ndalojnë njerëzit të përqafojnë e që qajnë bashkë me ty. Është motiv që të bën të vazhdosh dhe të mos ndalosh. Derisa ekzistojnë kushtet dhe rrethanat nuk kam dëshirë të ndalet kjo punë, vetëm vdekja mund t’më largojë. Nuk ka alternativë që mund t’më bind që të largohem. Janë emocione që nuk përshkruhet t’ja japësh dorën dikujt e t’i tregosh që është bërë me shtëpi të re ”.
I pyetur nëse do t’i hynte politikës edhe nëse populli do të donte, Kastrati thotë që këtë s’do ta bënte këtë gjë, pasi që ai ka tjetër mision.
‘Me dëshirën time asnjëherë s’do t’i hyja politikës. Këtë ma ka dhënë Zoti, mendoj që përderisa kemi ardhë në këtë ditë, është vlerësimi i popullatës dhe shpirti im do që të jetë këtu. Nuk jam i dhënë për politikë. Jam i dobët për sfera të tjera. Mendoj që këtu jam shumë mirë. Shpresoj të vazhdojë deri në ditën e fundit’.
Humanisti tregoj se ata po vazhdojnë punën e tyre me ‘Jetimat e Ballkanit’, shoqatë që përbëhet prej 11 personave dhe që çdo ditë janë në qytete të ndryshme shqipfolëse, duke ia shtrirë dorën dhe duke ndarë e bashkëndjerë me personat e familjet që kanë nevojë për ndihmë dhe që aktiviteti i tyre është për tolerancë fetare dhe çdo gjë është transparente.