Azgan Haklaj
Nëse Jezu Krishti u kryqëzua njëherë e u ringjall të tretën ditë, Ramush Haradinaj po kryqëzohet për herë të tretë nga armiqtë e Kombit Shqiptar dhe “judat” Rama- Thaçi.
Sot Kombi Shqiptar e ka një mbrojtës heroik e liria një emblemë të shëndritshme të saj, shqiptarët një Prijës e simbol të bashkimit, NATO e Perendimi një aleat të vendosur, besnik e të sinqertë Ramush Haradinaj.
Gjenerali fitimtar i Luftës së Fundit në Territorin Shqiptar e atë Europian, i fundit në Kalendarin e Historisë sonë nga burrështetasit e shquar e shqiptarët e mëdhenj që ka lindur toka e shqiponjave.
Profili i Tij është rritur e skalitur orë pas ore, ditë pas dite e vit per vit në çerekshekullin e parë të mijëvjeçarit të ri.
Pinjoll i një familje të vjetër, fisnike, patriote e bujare djaloshi trim Ramush Haradinaj sëbashku me vellezërit e Tij luanë nuk u mendua dy herë kur e thirri zëri i Atdheut dhe u hodhën si shqiponja në Logun e Zanave siç i quan me të drejtë Homeri ynë Gjergj Fishta fushëbetejat e mëdha të luftës për liri.
Familja Haradinaj i dha me trimëri dhe bujari të rrallë Flamurit të Gjergj Kastriotit Atdheut dhe Epopesë së Luftës çlirimtare katër gjeneralë e tre deshmorë.
Bashkë me Jasharajt e Drenicës familja legjendare e Haradinajve ripërtërinë keshtu, pas pesë shekujsh Epokën Heroike të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skenderbeu), duke e radhitur emrin e familjeve të tyre me plot meritë përkrah dyerve të mëdha e të ndritura të historisë, Kastriotëve, Dukagjinëve Balshajve,Topiajve, Aranitëve, Muzakajve.
Burrat e mëdhenj si Ramush Haradinaj e kanë fatin të parashkruar:
Ata rriten dhe e kalojnë jetën në fushëbetejat e luftës e ato të diplomacisë për të mbetur simbole të përjetëshme të kombeve të tyre, gurë kilemetrikë në udhëtimin e përjetshëm të popujve nëpër rrugën e mundimshme të xhunglës së historisë.
Si Kryeministër i Kosovës Ramush Haradinajt ju imponua një betejë e ashpër dhe e pabarabartë:
Ju desh të bahet barrikadë e pakapërcyeshme ndaj qellimeve shoviniste e ekspansioniste të carëve e sulltanëve të shekullit të XX-të, Putinit, Erdoganit e Viçiçit dhe njëherësh të ruhej nga thika pas shpine e Esat Pashëve e ballabanëve shqipfolës Rama-Thaçi.
Haradinaj qëndroi si Ante për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
I tha jo Demarkacionit, jo osecacionit, jo Zajednicës, jo Republikës Serbska, jo Prilluzhës, jo ndarjes së Kosovës, jo ideologjisë pansllaviste- neootomane- serbomadhe, ideologji këto vdekjeprurëse të ekzistencës në të ardhmen të Kombit Shqiptar.
E mbrojti me vendosmëri Mitrovicën dhe Trepçen, margaritarin e Kombit tonë e serbëve u vuni kufirin tek thana.
” Uji fle hasmi s’fle thotë një proverb e vjetër shqiptare”.
Pasi hangren grushtin e nokautit në Berlin, ku u rrëzua projekti ruso- turko- serb për ndarjen e Kosovës dhe pasi u damkosën në zgjedhjet vendore në Turqi dhe Shqipëri sharlatanët Erdogan dhe Rama u takuan kokë me kokë me bekimin e Vuçiçit, Putinit e Thaçit, në një përpjekje të dëshpëruar për zgjidhur nyjën gordiane të çështjes së Kosovës.
Në një botë ku lobingjet politike, paratë e pista, interesat meskine të ditës bëjnë jo rrallë ligjin, armiqtë e betuar të shqiptarëve pandehën se e gjetën më në fund Fillin e Arianës:
Një ftesë nga Prokuroria Speciale e Hagës për Kryeministrin Ramush Haradinaj.
Rivendosja për herë të dytë në tryezat diplomatike të planit të ndarjes së Kosovës dhe heqja e barrikadave ekonomike, taksës ndaj Serbisë, ishte një barrë tepër e randë dhe një sprovë e vertetë historike ra mbi supet e Burrit të paepur Ramush Haradinaj.
Në Eposin e lashtë të pavdekshëm të Kreshnikëve Shqiptar gjendet ndoshta deklerata me e famshme e historisë së njerëzimit.
Ja si ju drejtohet Kreshniku Mujë agëve të Jutbinës:
“Sa ma ngusht un’ që kam ra
Aq ma lirë Zoti ma ka ba”
Gjeniu i politikës shqiptare Ibrahim Rugova i bëri para se të kalonte në amshim një sherbim të pavdekshëm Atdheut të Tij:
Ai gjeti njeriun e duhur për ti besuar fatet e Kosovës e kësisoj të mbarë Kombit Shqiptar Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës është përballur edhe dy herë të tjera me Gjykatën e Hagës.
Ka shkuar atje duke zhveshur uniformën e gjeneralit e kostumin e kryeministrit, si dorëzanë i Kosovës dhe idealeve të luftës së saj për liri e pavarësi e më tej si zëri i Kombit të Tij, i thjeshtë, madhështor si kurora e alpeve shqiptare pa ju dridhur qerpiku.
Pas një beteje të gjatë sfilitëse por triumfator Ai është rikthyer në Kosovë, i pritur e i brohoritur si hero i Kauzës Kombëtare, si Hero i Luftës e Princ i Paqes.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as këtë herë.
Kryeministri Haradinaj me një akt të pashembullt politik, të cilin kanë kurajo ta bajnë vetëm burrështetasit, patriotët e vizionarët e mëdhenj të kombeve të lira dha dorëheqjen e menjëhershme e të parevokueshme si Kryeministër i Kosovës për të shkuar në Hagë si qytetar i thjeshtë i saj për të ruajtur nderin e qeverisë e shtetit siç shprehet vetë.
Fati i Haradinajt i veshur tashmë aureolën e ndritshme të Prijësit Kombëtar është i çuditshëm e i pashembullt në histori.
Nëse Jezu Krishti u kryqëzua njëherë e u ringjall të tretën ditë, Haradinaj po kryqëzohet për herë të tretë nga armiqtë e Kombit Shqiptar e “judat” e tij Rama- Thaçi.
Dje qeveritë e Tiranës dhe Beogradit presidentët e Kosovës dhe Beogradit, Thaçi dhe Vuçiçi kanë festuar me shampanjë për fletëthirrjen e prokurorëve të Hagës për Ramushin.
Harruan se i kanë berë hesapet pa hanxhinë.
Haradinaj do të shkojë madhështor e krenar drejt Hagës në sprovën e tretë e të fundit.
Një komb prej dhjetë milionësh qysh dje janë ngritur në kembë dhe i kanë venë kurorën më të ndritur që i ka hije një burri shteti, atë të Prijësit të të gjithë shqiptarëve dhe të qytetarit të parë të Shtetit Komb, i cili po shëndrit fort si ylli i mëngjesit në Qiellin krenar të Atdheut.
Ardhsh i bardhë Princi Ynë.
Do na gjesh në këmbë, më të fortë, më të vendosur e më të bashkuar.