Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniGuximtar Labënishti: Të mos guxojë askush të luajë me fatin tonë si deri...

Guximtar Labënishti: Të mos guxojë askush të luajë me fatin tonë si deri më sot

FJALA E FAMILJES ME RASTIN E 11 VJETORIT TË VDEKJES SË KADRI LABËNISHTIT

Në emër të familjes së Kadri Labënishtit, u përshëndes të gjithëve që jeni mbledhur sot këtu nga të gjitha anët e trojeve shqiptare. U jemi mirënjohës për kohën që ndatë për të na nderuar ne si familje. Gjithashtu përshëndes të gjithë ata që do donin të jenë sot këtu, por që nuk janë për arsye të ndryshme.

Është një ditë e veçantë kjo për ne si familje, që na shkakton emocione, kënaqësi por edhe përgjegjësi njëkohësisht! Është një vlerësim dhe nder për familjen tonë, por edhe një mesazh i qartë se jemi në rrugë të drejtë dhe si duhet vazhduar në të ardhmen.

Me kët’ rast po them edhe unë disa fjalë në interes të qëllimit tonë të përbashkët si familje dhe shoqëri.

Gjërat evoluojnë në përgjithësi, ashtu edhe rrethanat në trojet shqiptare në shtetin e quajtur Maqedoni. Ka ndryshime në kahje pozitive, por ka edhe tendenca të qarta për mosndryshimin e gjërave në thelb, që hegjemonia sllavomaqedone të vazhdojë edhe më tutje. Kësaj dukurie duhet thënë ndal, mjaft më me shqiptarin inferior, të nënshtruar, përbuzur e poshtëruar në shtëpinë e vet. Le të jetë ky vend shtëpi e përshtatshme për të gjithë që janë natyrshëm në të, le të bëhen edhe ndryshimet e duhura që të arrihet kjo, si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja; kushtetuta, emri, simbolet shtetërore, stema e flamuri, shtetformësia, të gjitha këto t’i përgjigjen realitetit si aktual ashtu edhe historik. Shqiptarët përfundimisht të ndihen se janë në shtetin e tyre, shtëpinë e tyre, tokën e tyre, atdheun e tyre e jo të ndihen si deri më sot, qytetarë të dorës së dytë, mysafirë të padëshiruar në shtëpinë e tyre.

Ky vend duhet patjetër t’i marrë të gjitha tiparet që i takojnë një shteti multietnik dhe multikulturor, me shqiptarët si faktor kryesor. Shqiptarët duhet të faktorizohen edhe më gjërë në rajon, në trojet e tyre etnike: Shqipëri londineze, Kosovë dhe Maqedoni. Duhet kërkuar, gjetur dhe jetësuar të gjitha format e bashkëpunimit, koordinimit messhqiptar. Të mos guxojë askush të luajë me fatin tonë si deri më sot. Ne jemi një popull me rrënjë dhe tradita të lashta. Kemi çfar’ i tregojmë botës; në rajon nuk jemi inferiorë as nga numri, as nga potenciali intelektual e njerëzor; nuk kemi pse turpërohemi nga e kaluara jonë, përkundrazi, duhet të krenohemi me të; kemi qënë gjithmonë të sulmuar dhe gjakosur në të drejtën tonë, në shtëpinë tonë, në tokën tonë. Mjaft ishte, ta marrim fatin tonë në duart tona, jo dikush tjetër të vendosi për ne!

Me faktorizimin e shqiptarëve këtu e më gjërë nuk fitojmë vetëm ne, por fitojnë të gjithë popujt, se ashtu do marrin fund politikat antishqiptare nga qarqe të caktuara shoveniste, të cilëat qarqe kanë manipuluar me opinionin me të vetmin qëllim pushtetin dhe privilegjet që sjell ai. Të bëhen ndryshimet e duhura sa më parë, se koha nuk pret!

Jemi dëshmitarë skenaresh të shëmtuara në kurriz të shqiptarëve edhe sot, jo vetëm nga e shkuara e afërt; rasti i Lagjes së Trimave në Kumanovë, epilogu gjoja gjyqësor me dënime drakonike për grupin e Kumanovës, janë shembuj se si kulçedra e së shkuarës së dhimbshme për ne është akoma gjallë dhe vepron!

Historikisht shqiptarët kanë pësuar shumë nga politika shoveniste, gjenocidiale sërbomadhe dhe hibridja e saj sllavomaqedone. Jo që duhet marrë fund kjo dukuri, por edhe të ndriçohen krimet e shëmtuara ndaj nesh në të shkuarën dhe të vihet drejtësi për to, morale dhe materiale.

Vetëm me veprime konkrete pozitive do bindemi se jemi për bashkëjetesë dhe të barabartë, që të mund të vazhdojmë bashkë në të ardhmen! Atë që duhet ta bëjmë vet, nuk duhet lënë në duart e tjerëve, se atëherë dihet se del keq për ne.

Politika nuk po e bën si duhet punën e vet, përkundrazi dita ditës sikur po eksperimentohet me ne, me gjoja risi në skenën politike, gjoja parime të reja në zgjedhjet pa zgjidhje, koalicione joparimore, lidhje e bashkëpunim me armikun historik, që realisht nuk na ka bindur akoma se ka ndryshuar e nga ana tjetër armiqësi dhe luftë e pakuptimtë politike messhqiptarësh. Kjo është paradoksale dhe nuk na çon askund, por vetëm na sjell rrotull, në një vorbull pa fund! Pa unifikimin politik messhqiptar nuk ka faktorizim shqiptar këtu e askund!

Subjektet politike shqiptare të hedhin sytë pak më larg se interesat e tyre të ngushta. Të shohin pak më afër popullin dhe t’i lexojnë drejt kërkesat e tyre, nevojat e tyre ekonomike, sociale, politike etj. Nga ana tjetër edhe populli të jetë më i kujdesshëm në atë se kush duhet ta përfaqësojë në politikë etj.

Intelegjenca ta bëjë punën e vet, të japë kontributin aty ku duhet e jo të heshtë, apo të flasë dhe veprojë në interes të politikave destruktive dhe antishqiptare.

Ta bëjmë të gjithë punën tonë sa më mirë; meritokracia të jetë kriter punësimi dhe përgjegjësie, qoftë politike, ashtu edhe shoqërore. Të hapim sytë dhe mendjen sa më shpejt, sa nuk është bërë vonë. A nuk po e shohim se na iku rinia jashtë, se këtu po i vritet shpresa për jetë dinjitoze. Po boshatisen trojet tona stërgjyshore, dikur me dhunë nga armiku, kurse sot nga papërgjegjësia jonë kolektive dhe individuale; politika duhet ta ketë në plan të parë rininë, se ajo është jeta, ajo është e sotmja dhe e ardhmja jonë; rinia të arsimohet dhe edukohet me cilësinë e duhur e jo shkel e shko si deri më sot. Investimi në arsimimin dhe edukimin e duhur bashkëkohor është investimi më i mirë për të ardhmen!

Falenderoj organizatorët e këtij përvjetori, Shoqërinë LËVIZJA me kryesinë e saj dhe degës këtu; falenderoj këshillin organizativ që përgatiti dhe menaxhoi skenarin e kësaj ceremonie; falenderoj të gjithë ata që kontribuan në një formë apo tjetër për mbarëvajtjen e manifestimit të sotëm.

Shpreh respektin për veprimtarët e palodhur të çështjes kombëtare, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë!

Respekt të madh për luftëtarët e lirisë që i mbijetuan të gjitha frontet e luftës, sidomos atyre që morën plagë dhe kanë pasoja nga ato përpjekje.

Mos harrojmë edhe respektin për familjarët e të gjithë këtyre që përmenda më sipër dhe do i përmend më poshtë!

Për fund kam rezervuar respektin më të madh, deri në përulje, për dëshmorët e kombit, gjakun e tyre amanet që nuk duhet e as guxon të shkelet kurrë, që na shërben si udhërrëfyes i qartë se si fitohet dhe si duhet ruajtur LIRIA.

LAVDI E PËRJETSHME DËSHMORËVE TË KOMBIT E ATDHEUT

Faleminderit

Ladorisht, 04.11.2017 Guximtar Labënishti

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!