Një konflikt i armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë në vitin 2014, që rezultoi me burgim të 33 personave deri në 746 vjet prapa grilave, ka gjasa t’i ketë bërë bashkë Kyeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe atë të Kosovës Ramush Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit. Haradinaj para pak ditësh ka qëndruar zyrtarisht në Maqedoni në një takim ku kanë marrë pjesë edhe shefa të qeverive të rajonit. Ndërsa ky i fundit është mbajtur në shtëpinë e Haradinajt, pa praninë e mediave. Kohë më parë shefi i Qeverisë së Kosovës kishte kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës për çka e kishte dhënë aprovimin edhe Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bashkë me bashkëshorten e tij, Zoricën kanë qëndruar të mërkurën për një vizitë në Kosovë. Vizita e Zaev nuk ka qenë zyrtare. Ai është takuar vetëm me kryeministrin Ramush Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit.
“Bashkë me Aniten, mirëpritëm në shtëpinë tonë mikun dhe homologun tim maqedon, Zoran Zaev, me bashkëshorten e tij, Zorica, me dëshirën që miqësia jonë të reflektojë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Një takim i tillë duket i pazakontë, pasi asnjëherë më parë Kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë nuk kanë kultivuar raporte të tilla.
Por çfarë e solli Zaevin në Prishtinë e çfarë e shtyri Haradinajn ta ftojë atë? Ka gjasa që dy shefat e qeverive në Prishtinë dhe Shkup të kenë biseduar edhe për çështjen e Grupit të Kumanovës.
Bashkëpunëtorët e Haradinajt kanë refuzuar të komentonjë për Express për natyrën e takimit por kanë bërë me dije se ftesën Haradinaj Zaevit ia kishte bërë gjatë qëndrimit në Shkup para disa javësh.
Siç dihet Ramush Haradinaj menjëherë pas vendimit kishte dal me një deklaratë në lidhje me dënimin e Grupit të Kumanovës nga Gjykata e Shkupit, ku edhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, kryeministri maqedonas i cili erdh për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë premtoi se për rastin Kumanova do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që të zbardhet ngjarja.
“Duhet të dihet e vërteta. Kjo është në interes të dy shteteve. Është çështje e ndjeshme, aty pati vrasje. Do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që të arrihet e vërteta”, kishte shtuar Zaev.
Gjykata Penale dënoi me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës. 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Në mungesë të dëshmive, katër persona u liruan nga të gjitha akuzat. Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski./Express