Jo të gjithë arsimtarët kanë hyrë në grevë tha ministri i arsimit Jeton Shaqiri që vizitoi këtë mëngjes shkollën Vllado Tasevski në Shkup. ai falenderoi mësimdhënësit që sot kanë vendosur të pranojnë nxënësit në klasa dhe premtoi se dialogu social do të vazhdojë.
“Shumica e shkollave fillore dhe të mesme, kanë një pjesë të mësimdhënësve në grevë e një pjesë në punë. I jam falenderues të gjithë mësimdhënësve që po pranojnë nxënësit, sepse më të rëndësishmit në këto momente janë nxënësit. Ne do vazhdojmë të jemi në diskutime me SASHK-un për të gjetur zgjidhje përfundimtare për këtë problematikë. Ne si qeveri e kemi dëshmuar dhe duke filluar nga viti 2018, kemi pasur tre herë rritje të pagave… jemi të hapur edhe që të gjendet një zgjidhje për situatën aktuale, e brenda kohës po diskutojmë edhe me Ministrinë e Financave për gjetjen e një buxheti sistemor që për cdo rritje të pagës minimale të rriten dhe pagat e tjera e të mos kemi situata të tilla në të ardhmen.”, tha ministri i arsimit Jeton Shaqiri.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme dhe pas orës 14:00, gjegjësisht pas fillimit të turnit të dytë nëpër shkolla, do të kenë informacione për përfshirjen e tyre në grevë. Sipas Shaqirit, vendimi për grevë vjen në një situatë delicate kur duhen kompensuar ditët e vitit shkollor për shkak të vonesës së nisjes së gjysmëvjetorit të dytë të shkaktuar nga situata me pandeminë KOVID-19.