Greqia ka zgjeruar orën policore dhe ka mbyllur kafenetë e restorantet në zonat e ngarkuara të qyteteve. Masat e ashpra do të zgjasin një muaj.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis është detyruar të kthejë masat e izolimit pas shpërthimit të rasteve të reja që prej fillimit të muajit tetor. Restorantet, kafenetë, muzetë, kinematë, teatrot dhe palestrat do të mbyllen nga 3 nëntori.
Nga kjo masë do të preket i tërë rajoni i Athinës, në të cilin ka pasur shpërthim të madh të rasteve. Mbajtja e maskave është bërë e obligueshme si brenda ashtu edhe jashtë objekteve, ndërsa 50 për qind e punëtorëve të kompanive janë të obliguar të punojnë nga shtëpia.
Kryeministri grek ka thënë se është detyruar të marrë masat e izolimit për shkak se ulja e temperaturave do t’i shtyjë njerëzit të hyjnë brenda objekteve. Selaniku, qyteti i dytë më i madh në Greqi, ka nisur izolimin të premten.
Pikun e rasteve Greqia e ka regjistruar të premten kur u konfirmuan 1 mijë e 690 raste të reja. Që prej muajit shkurt nga koronavirusi në Greqi kanë vdekur 620 persona.