“Sela ka shpëtuar vetëm për faktin se sulmuesit kanë menduar se ai kishte ndërruar jetë” tha prokurori Darko Jakimovski në fjalët përfundimtare për dhunën ndaj deputetit Zijadin Sela më 27 prill në Kuvend.
Prokurori tha se ngjarjet si 27 prilli i përgjakur është turp të ndodhin në një vend të civilizuar. Ai duke bërë një përmbledhje të rastit theksoi se të gjithë të akuzuarit kanë hyrë dhe kanë ushtruar dhunë në Kuvend.
Ai shtoi se kjo duhet dënuar por nuk mohoi masat lehtësuese. Duke marrë parasysh video materialet e shikuara nga sigurimi i Kuvendit dhe mediave si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, Jakimovski tha se Andrej Micov ishte i pari që ka sulmuar Selën.
Për Toshtën tha se Selën ia ka dorëzuar Nikolla Vojminovskit, i cili më pastaj e ka heshur atë drejt turmës. Për Toshtën po ashtu ceku se në disa momente shihet që tenton të mbrojë deputetët e tjerë.
“Të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm për situatën e rrezikshme ndaj deputetëve, gazetarëve dhe anëtarëve të sigurimit, jo vetëm që kanë qenë të vetëdijshëm por edhe u janë kërcënuar. Pa diskutim ka edhe persona të tjerë të pa identifikuar që kanë sulmuar Selën por, pa diskutim edhe të gjithë të akuzuarit kanë marr pjesë në sulm”, tha Darko Jakimovski, prokuror.
Në ndërkohë i akuzuari Aleksandër Janevski-Toshta dorëzoi disa dokumente të lavdëratave dhe falënderimeve për sjellje humane të tij që i janë dhënë nga institucione të ndryshme si Kryqi i Kuq, Ministria e mbrojtjes, policia ushtarake dhe nga komuna e Kisella Vodës. Avokati i tij Bojan Vanevski tha se dokumentet për veprat e Toshtës që i janë dorëzuar gjykatës, tregojnë karakterin e tij. Ai po ashtu shtoi se pret lirimin e klientit të tij nga akuza.
“Sot i dëgjuam fjalët përfundimtare të prokurorit. Ende mendojmë se padia mbetet e pa dëshmuar. Në lidhje me të pandehurin Toshta, siç thashë në fillim siç edhe gjyqi ka lajmëruar, nuk është personi që e ka tërhequr Selën nga grupi i deputetëve. Vlerësojmë se gjyqi në rast të këtillë, pas kësaj që është konstatuar, nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta liroj nga akuza, dhe kjo është ajo që ne po presim”, u shpreh Bojan Vanevski, avokat.
Ndërsa, avokati i deputetit Zijadin Sela Abidin Abduli tha se mbetet në qëndrimin e njëjtë që kanë parashtruar nga fillimi për dëmshpërblim prej 1 milion euro.
Në seancën e fundit të akuzuarit Stojan Pavllevski dhe Ceo Georgievski pranuan fajin. Ata u gjykuan me procedurë të veçantë për dhunë ku Stojan Pavllevski u dënua me 3 vjet burg ndërsa Ceo Georgievski me 1 vit e 2 muaj. I akuzuari Sasho Senkov është liruar nga akuza për shkak të mungesës së fakteve.
Për tentim vrasje ndaj Selës sipas aktit të ri akuzohen Kire Georgievski, Oliver Oshavkovski, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski-Toshta, Andrej Micov, Nikolla
Vojminovski dhe Kosta Dellov.