Gjermania planifikon t’i zgjasë deri më 31 gusht masat kufizuese për udhëtim nga shtetet joevropiane, si metodë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Përjashtime pritet të bëjnë shtetet që plotësojnë kriteret e caktuara nga shteti gjerman. Vendimi pritet të merret të mërkurën nga qeveria gjermane.
Ministri i Jashtëm, Heiko Mass, kishte shpallur masat kufizuese për 200 shtete të botës nga 16 marsi, kur kishte shpërthyer koronavirusi.
Javën e shkuar, Berlini vendosi të heqë kufizimin për udhëtimeve nga 15 qershori për disa vende evropiane. Kjo përfshinte 26 shtetet e Bashkimit Evropian, dhe Britaninë, Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtejnin.
Për më shumë se 160 shtete të tjera masat kufizuese do të zgjasin deri më 31 gusht.
Kriteret për të gjykuar sigurinë e shteteve të tjera do të përfshijnë: Numrin e rasteve me infeksion, performancën e sistemeve shëndetësore, kapacitetet e testeve, rregullat e higjienës dhe kufizimet për hyrje në ato shtete.
Deri tash në Gjermani janë regjistruar rreth 185 mijë persona të infektuar me COVID-19. Kanë vdekur 8736.