Grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD miratuan sot dokumentin që i jep dritën e gjelbër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deputetët gjermanë megjithatë kanë vënë disa kushte shtesë për Shqipërinë, të cilat i kanë ndarë në dy etapa. Dy syresh duhen plotësuar para konferencës së parë të anëtarësimit dhe shtatë të tjera para se të fillojë konferenca e dytë, respektivisht hapja e kapitujve të parë (23 dhe 24).
Dy kushtet e vendosura nga Bundestagu para se të fillojë konferenca e parë e anëtarësimit, e cila pritet të jetë nga pranvera e vitit te ardhshëm janë funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe miratimi i reformës zgjedhore. Sipas deputetëve, ligji i ri zgjedhor duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore dhe të bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. “Përpunimi i draftit të hartuar aty duhet të bëhet në një dialog të hapur duke përfshirë të gjitha forcat politike, siç rekomandohet në raportin e ODIHR-it të datës 5 shtator 2019″, thuhet ndër të tjera në dokumentin që e ka ekskluzivisht DW.
Para se të fillojë konferenca e dytë e anëtarësimit, gjegjësisht, para se të hapen dy kapitujt e parë, të negociatave, deputetët kërkojnë nga qeveria federale që të ketë konstatuar përmbushjen e këtyre kushteve nga ana e Shqipërisë:
– zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore
– fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e Vetting-ut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht.
– fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve.
– ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj.
– suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë.” Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në dokument.
– përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi.
– një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendoset mbajta e zgjedhjeve të reja lokale, ato duhet të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.
Sipas burimeve të para nga qarqet e CDU/CSU , dokumenti u miratua me shumicë të madhe votash. Vetëm 28 deputetë kishin qenë kundër, katër abstenuan, nga 246 deputetë që ka gjithsej grupi parlamentar më i madh në Gjermani. Grupi parlamentar socialdemokrat e kishte miratuar më parë të njëjtin dokument me shumicë të madhe votash.
Të enjten në mbrëmje dokumenti pritet të miratohet në Bundestag pas një debati 45 minutash. E vetmja parti që pritet të jetë kundër çeljes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është grupi parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po, ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.