Aktivisti dhe drejtuesit i nismës “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi i quajnë tallje me qytetarët orientimin e Bashkimit Demokratik për Integrim në parti me të ashtuquajturën “agjendë të gjelbër”, transmeton Alsat. Xhaferi thotë se kjo parti gjatë 20 viteve në pushtet vazhdimisht ka drejtuar me dikasterin e mjedisit dhe se është fajtorë për shkatërrimin e hapësirave të gjelbra dhe kaosin në hapësirat urbane.
“Do befasohesha më pak nëse Papa do ishte konvertuar në islam. Kjo parti ka vite që është në pushtet dhe kemi 20 vite që na kullotin në atë gjelbërimin imagjinar të tyre. Kanë udhëhequr gjithmonë me dikasterin e mjedisit dhe kanë lejuar që “Jugohromi” ta helmonte Tetovën, derisa duhej me mijëra qytetarë të Tetovës të ngiteshin në këmbë për ta ndalur këtë helmim. Kanë lejuar ndërtimin e shumë hidrocentraleve në Malin Sharr me çka shumë vendbanime tona mbeten pa uji. Kanë lejuar shkatërrimin e Kodrës së Diellit, duke dhënë leje dhe duke mbyllur sytë para uzurpatorëve të hapësirës publike. Kanë lejuar shkatërrimin e hapësirave të gjelbra nëpër qytete ku janë ndërtuar me mijëra pallate që janë ndërtuar ku me leje ku pa leje”, tha mes tjerash Xhaferi.