Një grua në Turqi pretendon se të dielën festoi ditëlindjen e saj të 119-të, duke e bërë atë në këtë mënyrë personin më të vjetër në botë. Mediat turke raportojnë se Seker Arslan e festoi ditëlindjen e saj e rrethuar nga familjarët e saj në qytetin verior të Amasya. Sipas kartës së identitetit, ajo ka lindur më 27 qershor të vitit 1902.
Megjithatë, duket se familjarët e saj e kanë bërë llogarinë gabim pasi i çuan gjyshes një tortë me numrin 120.
Zonja Arslan ka 6 fëmijë, 12 nipër e mbesa dhe mendohet ta ketë trashëguar jetëgjatësinë nga e ëma e cila jetoi gjithashtu deri 110 vjeç.
Vajza e saj, Serap Yueksel ia dedikon jetën e gjatë të nënës së saj të ushqyerit me prodhime natyrale si, gjalpë, djathë e mjaltë.
“Gjalpi, djathi dhe mjalti nuk mungojnë në tavolinë. Ajo e zë kosin vetë dhe akoma e ha një vezë të zierë çdo mëngjes”./A2CNN