Është formuar Këshilli Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë
Qeveria dje e miratoi Vendimin për formimin e Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, me çka parashihet një hallkë shtesë në majë të strukturës koordinuese, përveç Komisionit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë si trup më i lartë ekspertësh.
Me Këshillin Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë do të udhëheqë zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ndërsa anëtarë do të jenë: ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, prokurori publik i RM-së, kryetari i Gjykatës Supreme të RMV-së, udhëheqësi i Zyrës për kthimin e pasurisë, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, drejtori i Doganave, drejtori i Drejtorisë për Polici Financiare, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe kryetari i Komisionit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë.
Kabineti i zëvendëskryeministrit Fetai do të vazhdojë të sigurojë mbështetje politike, administrative dhe teknike për punën e Komisionit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë. Proceset dhe vendimet strategjike që realizohen në mënyrë të vazhdueshme janë dëshmi e përkushtimit të Qeverisë në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe sigurimin e kushteve për zbatimin e hetimeve financiare, konfiskimit dhe kthimit të pasurisë, si dhe menaxhimin e pasurisë së konfiskuar.
Shteti ndërtohet çdo ditë, ndërsa qytetarët duhet të jenë dëshmitarë të konfiskimit të përfitimeve të paligjshme materiale dhe të kenë mundësinë t’i shfrytëzojnë ato përmes ripërdorimit të tyre social.
(Struga Ekspres)