Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën, ambasadori i Ukrainës në OKB dënoi vendimin e Rusisë për të njohur rajonet pro-Moskë të Ukrainës si “të paligjshme dhe jo legjitime” raporton “CNN”.
“Sot i gjithë anëtarësimi i Kombeve të Bashkuara është nën sulm,” tha Sergiy Kyslytsya.
“Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës kanë qenë dhe do të mbeten të pandryshueshëm, pavarësisht nga veprimet dhe deklaratat e Federatës Ruse”.
“Udhëheqja politike e Federatës Ruse do të mbajë përgjegjësinë e plotë për rezultatet e vendimit të marrë,” shtoi ai.
“Njohja e pjesëve të okupuara të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës mund të konsiderohet si tërheqje e njëanshme e Rusisë nga marrëveshja e Minskut”. Në takimin e së hënës, Kyslytsya u bëri thirrje kombeve të tjera që të ndërmarrin veprime. “Është kritike të shohim tani se kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, i cili është në anën e kartës së OKB-së dhe kush do të vazhdojë ta pengojë Rusinë vetëm me fjalë”, tha ai.
Ai i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga rajoni dhe të anulojë njohjen e dy rajoneve pro-Moskës të Ukrainës, përpara se t’u bënte jehonë fjalëve të folura më herët gjatë ditës nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky: “Ne jemi në tokën tonë. Ne nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush. Ne nuk i detyrohemi askujt dhe nuk do t’i japim asgjë askujt”. / abcnews.al