Ministri i Shëndetësisë , Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp bëri të ditur planin e vaksinimit. Ai tha se vaksinimi do të kryhet në tre faza. Në fazën e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë me rrezik të lartë dhe personat mbi 70 vjeç; në fazën e dytë punonjësit shëndetësorë me rrezik të moderuar, punonjësit në institucionet vitale, personat mbi 65 vjeç e më të rinj nëse kanë sëmundje shoqëruese dhe në fazën e tretë të gjithë të tjerët që duan të vaksinohen.
Qytetarët në rrezik duhet të vaksinohen në një numër të madh, në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës. Sistemi shëndetësor është i gatshëm të pranojë vaksinat dhe të zbatojë vaksinimin. Të gjitha vaksinat në treg janë të sigurta dhe kanë kaluar të gjitha fazat e testimit dhe studimeve. “Imunizimi është arma më e fortë në luftën kundër virusit, por të gjitha masat e tjera duhet të vazhdojnë të respektohen – maskë, distancë,” tha Filipçe
Ai tregoi se regjistrimi do të bëhet nëpërmjet sistemit “Termini im” i cili regjistron të dhëna për moshën, praninë e mundshme të sëmundjeve kronike, etj. Pastaj, sipas tij, mjekët e familjes kanë detyrimin të komunikojnë me qytetarët, të përcaktojnë vullnetin për t’u vaksinuar, etj. Javën tjetër, njoftoi ministri, do të jetë faqja funksionale për regjistrim, ku mblidhen të dhëna nga “Termini im”.