Or.a policore në vend nga 22 deri në 5 të mëngjesit do të vazhdojë edhe për dy javët e ardhshme, ndërsa në rast të përkeqësimit të gjendjes mund të ketë masa tjera restriktive. Kështu njoftoi ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.
Në bazë të numrave të rasteve të reja pozitive dhe pacientëve të pranuar nëpër spitale ditëve të fundit dhe në bazë të numrit të shtretërve të lirë, qëndrimi është se nga nesër do të vazhdojnë të vlejnë të njëjtat masa sikurse deri tani, do të thotë mbetet në fuqi ora policore nga 22 deri në 5 të mëngjesit. Për masa eventuale të tjera do të bisedojmë gjatë javës, në bazë të asaj se çfarë do të ndodhë ditët në vijim- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë në 24 orët e fundit, betejën me koronavirusin e kanë humbur edhe 25 persona, të moshave nga 61 deri në 91 vjeç. Pesë nga pacientët e vdekur janë nga kryeqyteti, tre nga Tetova, nga dy viktima janë regjistruar në Gostivar, Prilep dhe Kavadar ndërsa nga një viktimë është regjistruar në qytetet Shtip, Veles, Ohër, Strugë, Koçan, Negotinë, Gjevgjeli, Kriva Pallankë, Probishtip, Vallandovë dhe Kratovë.
Ndërkohë nga 2730 teste të realizuara në 24 orët e fundit, 642 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, 321 prej të cilëve vetëm në kryeqytet.
Numri i pacientëve të shëruar në 24 orët e fundit është 524. Aktualisht në vend janë ka 15 mijë 131 raste aktive.
Adnan Qahili (ALSAT)