Fetai: Takimi i Bujar Osmanit me Gruevskin ishte pazar i errët në kurriz të shqiptarëve
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bujar Osmanit për takimin e tij me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, duke e quajtur këtë ngjarje “turp që nuk mbulohet me ligje e alibi”. “Takimet e Bujar Osmanit me Nikolla Gruevskin kanë ndodhur. Këtë e di i gjithë opinioni, sidomos kur pushteti i atëhershëm ishte bërë gati ta kthente Gruevskin në Shkup, pasi ndryshuan Kodin Penal për t’i vjetërsuar lëndët e një individi të futur në listën e zezë amerikane. Madje, kujtojmë edhe presionin ndaj ish-kryetares së Gjykatës Supreme!”, ka shkruar Fetai.
Ai shtoi se Osmani as vetë nuk pati guxim ta mohojë, por siç ka bërë tash 20 vite, “u përpoq të luajë rolin e naivit dhe të fshihet pas Ligjit për informata të klasifikuara”. “Ligji është i qartë: klasifikohen vetëm ato informata që prekin sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurrë nuk mund të klasifikohen takime që lidhen me krime, korrupsion dhe pazare politike. Pra, vetë ligji e rrëzon në vend justifikimin e Osmanit”, ka theksuar zëvendëskryeministri.
Sipas Fetait, këtu lindin pyetjet e mëdha që kërkojnë përgjigje: Pse u takua ministri i jashtëm me një të dënuar për krim e korrupsion, të vendosur në listën e zezë amerikane? Kush ia dha urdhrin Osmanit të shkelë ligjin dhe të njollosë shqiptarët? Për kë u bë ai takim dhe në çfarë pazari u futën Osmani dhe Gruevski?
“Institucionet nuk janë çiflig i Osmanit, Grubit e Ahmetit. Takimi me Gruevskin nuk ishte për shqiptarët, por për klanet e korrupsionit. Ky turp nuk mbulohet me ligje, alibi e fjalë koti, por vetëm sa e zbulon të vërtetën e madhe: BDI përdori shtetin për pazare të errëta në dëm të shqiptarëve!”, ka përfunduar Fetai.