
Fetai: Dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka dërguar një mesazh mobilizues në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se “dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë të vendit”. Ai ka vlerësuar se fryma e ndryshimit tashmë është kthyer në vetëdije shoqërore dhe shënon zgjimin e një populli që kërkon t’i japë fund regjimit të vjetër politik.

“Është zgjimi i një populli që më 19 tetor i tha mjaft zullumit dhe vendosi të jetë protagonist i ndryshimit”, ka shkruar Fetai.
Ai ka përmendur disa komuna ku, sipas tij, VLEN po shënon rritje të dukshme të mbështetjes: Tetova e Bilallit, Bogovina e Fetiut, Bërvenica e Haqimit, Struga e Mendiut, Studeniçani i Azemit, Dibra e Fisnikut dhe Dollneni i Blerimit. Sipas FetaIt, këto komuna do të jenë “vulat e politikës së re, të përgjegjshme dhe të matshme me punë”.
“Ne nuk kërkojmë votën për të shpëtuar veten tonë, por për t’i pastruar komunat tona nga katrahura që e lanë pas ata që e trajtuan pushtetin si pronë të babës”, ka shtuar ai.
Në përmbyllje, Fetai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovikisht në zgjedhje, duke theksuar se e hëna pas zgjedhjeve duhet të jetë dita e fitores ndaj “politikës pa krye të Ahmetit, Taravarit e Selës”.
“Kjo është epoka jonë, epoka e të rinjve e të rejave që nuk e pranojnë nënshtrimin. VLEN me një zë për numrin 7, numrin 133 dhe numrin 36”, përfundon ai.
 
 
 

 
		 
 
		 