Faruk Nevzati: Po përmbyllim një cikël zhvillimor në “Teneqe Mahallë”

Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzadi, ka njoftuar se është miratuar vendimi për zgjedhjen e ofertës më të volitshme për rikonstruktimin e plotë të rrugëve në lagjen “Teneqe Mahallë”.
Punimet do të realizohen nga kompania e mirënjohur kosovare për projekte infrastrukturore “ESKAVATORI-MK”, e cila pritet të fillojë me punë nga e marta e ardhshme.
Sipas Nevzatit, përveç asfaltimit të të gjitha rrugëve të lagjes, do të realizohen edhe intervenime në pikat kritike të ujësjellësit dhe kanalizimit, për të garantuar një infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme.
Projekti, me vlerë mbi 350 mijë euro, përfshin rrugët 1, 3, 5, 7, 9 dhe 20, dhe vjen pas investimeve të fundit në parkingun me 40 vende në rrugën 5, si dhe këndin e lojërave për fëmijë që pritet të përfundojë së shpejti.
Nevzati e ka cilësuar këtë si përmbyllje të një cikli të rëndësishëm zhvillimor për lagjen “Teneqe Mahallë”, duke theksuar se Çairi po vazhdon me projekte konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve.
